Gjatë ceremonisë së ndarjes së 11 “Medaljeve të Nderit” për punonjësit e Policisë së Shtetit që menaxhuan sipas Ministrisë së Brendshme më së miri situatën pas tërmetit të 26-nëntorit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përmendi edhe rastin e efektivit të RENEA-s, Shkëlzen Alushi. Alushi, u kthye në një personazh viral në rrjetet sociale, pasi publikoi një dedikim që ai ndau me miqtë e tij, ku i kërkonte falje të birit.
“Unë nuk besoj se ekziston një përkufizim i qartë për heroin, por nëse do të më duhej të bëja një propozim do të ishte pikërisht ky: Hero është ai ose ajo që në rastin kur është më shumë se kurrë i nevojshëm për të qenë pranë familjes së tij, nxiton për të ndihmuar fëmijët dhe familjet e të tjerëve. Më 26 nëntor të tillë kishte shumë, policë, zjarrfikës, ushtarë, personel shëndetësor, nëpunës, etj.. “Jam munduar gjithmonë që familjes dhe fëmijëve të mi t’ju mësoj si ta mposhtin frikën, por kisha harruar të mësoj veten se si të mos kem frikë për ta, në momente të vështira”, shkruante ato ditë Shkëlzeni, një anëtar i RENEA-s, teksa djali i tij i vogël, i frikësuar e kërkonte ta kishte të atin në shtëpi. Me pak fjalë, Shkëlzeni ka përshkruar në trajtë dramatike dilemën heroike me të cilën janë përballur të gjithë ata që në ato minuta të rënda u kthyen shpinën familjeve të tyre.”-tha Lleshaj, duke risjellë fjalët e efektivit që bënë xhiron e rrjetit gjatë ditëve ku situata në Thumanë dhe Durrësi, ishte kaotike.
