Në shkollat e arsimit parauniversitar që frekuentohen nga nxënësit me aftësi të kufizuara, krahas mësuesit të lëndës, në zhvillimin e procesit mësimor do të marrë pjesë edhe mësuesi ndihmës. Sipas udhëzimit më të fundit të miratuar nga dikasteri i arsimit, mësuesi ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara në institucionet arsimore publike duhet të përmbushë dy kritere sa i takon formimit universitar që duhet të kenë. Për të siguruar një kontrate pune si mësues ndihmës, çdo kandidat duhet të jetë i pajisur me licencën e mësuesit në profilin “Arsim special”.
Në mungesë të kësaj licence, mësuesi duhet të jetë i pajisur detyrimisht me diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit, konform kërkesave të përcaktuara, si dhe të ketë kryer trajnimet e duhura për arsimimin e nxënësve me aftësi të kufizuara, për të cilat duhet të jetë pajisur me certifikatë, dëshmi, apo diplomë që vërteton këtë kompetencë profesionale të shtuar.
Punësimi i mësuesve ndihmës
Autoritetet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë bëjnë me dije se procedura e përzgjedhjes së mësuesit ndihmës në shkollat përkatëse do të zhvillohet njëlloj sikundër ndodh me procedurat e pranimit dhe emërimit të mësuesve të tjerë që garojnë për vendet e lira të punës. Çka do të thotë se konkurimi edhe për këtë kategori arsimtarësh do të zhvillohet nëpërmjet portalit online “Mësues për Shqipërinë”, konkurrim i cili zhvillohet në dy faza, me anë të dosjes dhe testimit të informatizuar.
Ngarkesa mësimore e mësuesit ndihmës
Norma javore e mësuesit ndihmës dhe qëndrimi fizik në institucionin arsimor do të jetë i njëjtë me atë të mësuesit të zakonshëm në klasë, kjo e përcaktuar sipas udhëzimit për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar.
Nje mësues ndihmës mund të punojë me deri 2-3 nxënës me aftësi të kufizuara brenda të njëjtit institucion arsimor sipas rekomandimit të Komisionit Multidisiplinar të ngritur pranë Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar bazuar në nivelin e vështirësive dhe nevojës për mbështetje që nxënësi paraqet. Në një klasë ku ka më shumë se një nxënës me aftësi të kufizuara nuk mund të punojë më shumë se sa një mësues ndihmës.
Vlerësimi i nevojave të nxënësve për mësues ndihmës
Mbështetur në dokumentacionin e paraqitur për çdo nxënës nga prindërit apo kujdestarët e tyre ligjorë, Komisioni Multidisplinar pasi vlerëson shkallën e vështirësisë së nxënësit përcakton nevojat arsimore të tij, nevojën për mësues ndihmës në klasë apo në shtëpi, numrin e orëve të mësimit që secili prej tyre ka nevojë të zhvillojë me mësuesin ndihmës. Pas çdo vlerësimi të kësaj natyre që bëhet një herë në vit, komisioni do të bëjë edhe një rivlerësimin të nevojës së nxënësit për mësues ndihmës.
Bazuar në këto përcaktime, drejtori i çdo shkolle konfirmon numrin e orëve që një mësues ndihmës do të ketë për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara brenda klasës, ose edhe në shtëpi. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe detyrat konkrete që mësuesit ndihmës duhet të përmbushin në ushtrimin e profesionit të tyre.
Licencimi i mësuesve të rinj
Licencimi i mësuesve të rinj në profilin “Arsim special” ndjek të njëjtat rregulla si për të gjitha profilet e tjera të mësuesisë. Dy ditë më parë është zhvilluar edhe provimi i shtetit për licencimin e dhjetëra mësuesve të rinj të cilët do të aplikojnë më pas për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit parauniversitar.
Sipas kushteve të përcaktuara për zhvillimin e profesioneve të rregulluara, kandidatët që kanë përfunduar studimet për “ Arsim special” dhe nuk janë në marrëdhënie pune duhet t’i nënshtrohen praktikes profesionale dhe më pas provimit të shtetit ku dhe do të fitojnë licencën përkatëse të ushtrimit të profesionit.
Ndërsa kandidatët që janë në marrëdhënie pune me kontratë definitive dhe kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në degët, Pedagogji e specializuar, Psikologji,Sociologji,Filozofi,dhe ciklin e dytë në Pedagogji të specializuar, nuk do t’i nënshtrohen provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit në arsimin special.
Detyrat e mësuesit ndihmës janë:
Punon për zhvillimin e plotë të potencialit intelektual, social-emocional, zhvillimor e fizik të nxënësit.
Njeh dhe zbaton pedagogjinë me në qendër nxënësin dhe ndihmon në krijimin e mjedisit gjithëpërfshirës të të nxënësit.
Në bashkëpunim me mësuesin e klasës, psikologun, punonjësin social të shkollës dhe prindërit harton dhe zbaton programin edukativ individual të miratuar nga Komisioni i shkollës për nxënësin me aftësi të kufizuara.
Në bashkëpunim me mësuesin e klasës planifikon ndërhyrjet për të plotësuar nevojat më prioritare të të nxënit për nxënësin.
Bashkëpunon me mësuesin e lëndës dhe me shërbimin psiko-social të institucionit arsimor për vlerësimin e nxënësit sipas nivelit të arritjeve të fushave të përcaktuara .
Asiston nxënësin gjatë procesit mësimor si brenda, ashtu edhe jashtë klasës për të bërë të mundur pjesëmarrjen e tij të plotë në të gjitha orët mësimore dhe në aktivitetet e tjera të nevojshme shkollore.
Në ato shkolla ku ekzistojnë hapësira zhvillimore shfrytëzon mundësitë për të zhvilluar program aurikular alternativ në përputhje me nevojat e nxënësit.
Ndjek dhe dokumenton aspektet e ecurisë si dhe ruan konfidencialitetin e informacionit për nxënësin.
Punon me nxënësit me aftësi të kufizuar krahas mësuesit në të gjitha orët mësimore apo në një pjesë të tyre, gjithashtu edhe jashtë klasës, me grupe të vogla, si dhe më nxënës të veçantë.
Ndjek të gjitha trajnimet e ofruara për zhvillimin e tij profesional, me parimet e arsimit gjithëpërfshirës dhe arsimit special.
Raporton në komisionin e shkollës mbi ecurinë e fëmijës dhe realizimin e objektivave të përcaktuara në edukimin e tij.
Mësuesi ndihmës informon prindërit për progresin mësimor dhe zhvillimor që nxënësi ka bërë.
