Gjatë inspektimeve të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, pallati i njohur si i Fatos Nanos, pas Shallvareve në Tirane, u rrethua me shirit sigurie pas shqetësimit të disa prej banorëve në apartamentet e tyre.
Shiriti i sigurisë rrethoi vetëm për dy orë pallatin 15-katësh pranë zonës së njohur si Shallvaret në Tiranë pasi banorët e denoncuan rastin.
“Vjen policia bashkiake e na nxjerr nga shtëpia pa dokument, pa gjë, nga 26 nëntori ne kemi qëndruar këtu. Në shtëpi kam dëme të vogla”, shprehet një banore.
Ndërsa banoret debatonin mes tyre, drejtori i Institutit të Ndërtimit mbërriti për të inspektuar pallatin. Pasi pa apartamentet, u sugjeroi përfaqësuesve të bashkisë të ngushtonin zonën e sigurisë dhe të evakuonin vetëm katër familjet që banonin në shtesën në krahun e djathtë të pallatit.
“Keni vendosur gjithë këtë shirit për një shtesë kaq të vogël… nuk është nevoja për panik dhe për alarm … pallati nuk ka rrezik”, tha ai.
Në këtë pallat i njohur si pallati i ish-kryeministrit Nano banojnë 75 familje.
