Artisti duhet të dalë në pension atëherë kur nuk ka më forcë fizike e mendore do të shprehej Veli Rada në një intervistë të tijën para recitalit “40 vjet humor”. Sot bëhen pesë vjet pa mjeshtrin e humorit që me fjalën e tij godiste, por duke buzëqeshur.
Për ne që u rritëm me artin e tij, me zërin e tij karakteristik dhe pasionin që transmetonte si komentator sportiv, nuk mund të mos e kujtonim më bukur dhe me buzëqeshje siç ai dinte bashkë me fëmijët e tij, Enkelejdën, Florindën dhe Xhodin.
Sapo i takova tek secili prej tyre gjeje një pjesë të artistit të Estradës së Tiranës, tek Enkelejda pamjen, tek Florinda njeriun energjik që nuk ndalej dhe tek Xhodi hijen e tij.
Të kujtosh Veli Radën nuk është e lehtë për ta, të cilët na tregojnë se ende u duket sikur ai është në turne, ashtu si çdo festë fundviti që e gjente mes artadashësve të tij. Folëm bashkë për Veliun si baba, si artist e komentator sportiv, e pas çdo loti malli shfaqej një buzëqeshje dhe siç vajza e tij e madhe na thotë ai njeri la vetëm humor e nuk e kujtojmë me dhimbje por me buzën në gaz me batutat e tij.
POROSIA E NJË BABAI DHE NJERIUT ME PARIME
“Mund të jeni nxënës mesatar, mund të mos jeni të shkëlqyer por ama duhet të jeni njerëz në radhë të parë, të përçoni mirësi, të jeni gjithmonë vetvetja dhe të mos ma nxini faqen”. Kjo ka qenë porosia e babait Veli Rada për fëmijët e tij. Nuk ka kërkuar kurrë favore, nuk dëshironte që fëmijës së tij t’i falnin notën, por të çanin vetë në jetë. Kështu e kujton Enkelejda të atin për të cilin vijon se për ta ka qenë personifikimi i një figure që ka përfshirë në të njeriun artistin, sportistin, shakaxhiun, shokun e të gjitha.
Njerëzit mendojnë se duke qenë artist, mund të jesh tolerant në rolin e babait, por Veli Rada ishte një njeri me shumë parime.
Nuk ka dashur që asnjë prej fëmijëve të tij të bëhej artist duke u thënë shpesh me humor, siç kujton Florinda se këtë sektor e mbulonte ai. “Fëmijërinë më të bukur e kam pasur unë, kam qenë më afër dhe jam kënaqur se e kam ndjekur. Në çdo shfaqje më merrte me vete. Pjesën e humorit përsa i përket të treve e kam marrë një cik më tepër unë. Gjithmonë kishim batuta me njëri-tjetrin e kur i thoja kam qejf të bëj shkollën për aktore si sektor e mbuloj unë thoshte dhe ti nuk ke punë fare me këtë pjesë”, rrëfen ajo.

Një familje e bashkuar, e lidhur ngushtë dhe për mjeshtrin e humorit ka qenë kritika më e mirë për të. Nëna e tyre Hyria ka qenë kritika e parë dhe i thoshte çfarë i pëlqente në një shfaqje dhe çfarë jo. Dhe vërtetë që i binte pikës! Xhodi rrëfen se prindërit kanë pasur një marrëdhënietë veçantë me njëri-tjetrin. Nuk është kollaj të jetosh me një artist, dhe pse vetë nuk je në atë fushë, por suporti i Hyrijes për Veliun ka qenë shtylla kryesore. Edhe vetë artisti në intervistat e tij publike pas daljes në pension do të thoshte se “nëse nuk do të ishte ajo (Hyria) nuk do të isha ky që jam sot”.

Teksa sheh të tre fëmijët e artistit, sigurisht sot të rritur dhe prindër vetë, e kupton shumë mirë se Veli Rada në shtëpi ishte ai prindi jotolerant po që i shtonte jetës familjare dozën e nevojshme të humorit për të pasur këtë harmoni që ende sot e pasqyrojnë me njëri-tjetrin dhe tek brezat e tjerë. Ah, për të qëndruar pak këtu. Djali i madh i Xhodit ka qenë pika e dobët e gjyshi Veliut. Kënaqësia më e madhe e tij ishte ta nxirrte shëtitje me karrocë që gjithë lagja e njeh me nofkën që i thërriste vetë gjyshi. Ndërsa të voglin, që mban emrin e tij, nuk arriti ta shihte pasi lindi pak muaj pasi artisti u nda nga kjo jetë.
ARTISTI QE NUK BENTE KOMPROMISE
Të flasësh për Veli Radën si artist dhe karrierën e tij mbi 40-vjeçare në film, teatër, estradë, si skenarist e si aktor do të na duhen këto netët e gjata të dimrit për të kujtuar e për të qeshur me batutat e tij. Florinda thotë se babai nuk pati asnjë peng si artist. “Botë me sy kam pa, të gjitha gjërat ca kam dashur i kam realizuar asnjë gjë s’më ngelet, sikur neser me vdek”, thoshte i ati.

Prishja e estradës së Tiranës më 1 prill 2004, apo siç vetë Veli Rada do e quante historia e dhjetëra artistëve të mëdhenj, ishte meraku i tij. Nga një teatër bërthamë me artistë me emër, që nga Skënder Sallaku, Vasillaq Vangjeli, Xhemal Myftiu, Met Bega,Agim Bajko, Xhevahir Zeneli etj., vjen një moment që shkrihet dhe gjithë artistët përfunduan të gjenin mundësira të punonin privatisht. Kjo ishte e pafalshme për mjeshtrin e humorit që i dhuroi vitet e jetës artistike skenës së asaj estrade.

Pas kësaj ai ishte artisti që nuk bënte kompromise, e sidomos me hapjen e televizioneve private dhe emisioneve artistike që kishin tendencën e përdorimit të fjalëve banale. Veli Radës kjo nuk i pëlqeu dhe ka qenë një nga arsyet që nuk u përfshi në projekte të tilla. “Kjo nuk i pëlqente dhe thoshte ky nuk mund të quhet më humor. E pa veten të shkonte në gjëra që sipas tij ishin pak, po cilësore dhe të mira”, thotë vajza e tij e madhe Enkelejda. Veli Rada solli dy recitale, “90 minuta pa shtesë” dhe në 70-vjetorin e tij “40 vjet humor” ku me 5-6 artistë me të cilin kishte bashkëpunuar prej vitesh arriti të dhuronte humor për artdashësit ashtu sic Veliu dëshironte, pa dalë nga parimet e tij.
“Ka qenë artist i përmbushur, veten e ka gjet shumë mirë në komedi, në teatër. Si artist nuk besoj se ka pas diçka që ka dashur e nuk e ka realizuar”, thotë më tej Florinda teksa bisedojmë rreth babait të tyre si artist e si komentator sportiv.
PASIONI I HERSHËM PËR TRANSMETIMET SPORTIVE
Veli Rada si artist dhe komentator sportiv ka ecur paralelisht e duke u dashur po njësoj si ng artdashësi dhe sportdashësi. Por sipas fëmijëve të tij lidhja më e fortë ka qenë ajo me sportin. “Po të më pyesësh si aktor apo komentator, të parin kishte komentatorin e kishte pasion atë”, thotë Florinda.

Në shkollën e mesme është njohur me Ismet Bellovën, ikona e transmetimit sportiv shqiptar, që në atë kohë ka qenë mësuesi i edukimit fizik i Veli Radës. Ai ka qenë shtysa që duke pëlqyer diksionin e bukur të Radës nisi ta merrte me vete dhe i pëlqen transmetimi i ndeshjeve. Pastaj me kalimin e viteve ai u bë figurë qëndrore në këto transmetime përkrah Ismet Bellovës, Ahmet Shqarrit etj. Xhodi thotë se dhe pak ditë para se të sëmurej ai ishte aktiv si komentator sportiv sa herë që kishte ndeshje në televizione private, apo dhe emisione sportive. Sporti ka qenë pasioni i tij.
NËSE VELI RADA SOT DO TË ISHTE MES NESH….
Pas një bisede të gjatë për të folur për Veli Radën në pesë vjetorin e largimit të tij nga jeta, për të parë figurën e tij si artist, komentator sportiv dhe si baba të bëjnë mjaft përshtypje se si dikush me parime në vetvete e që nuk bën kompromise për shkak të kohës arriti që deri në fund, po dhe sot që nuk është mes nesh të mbetet një nga figurat më të dashura për artdashësit. “Shoku isar” nuk harrohet lehtë, por dhe goli i transmetuar nga Veli Rada.
Pesë vite nuk janë shumë, për fëmijët e tij humbja e babait duket sikur nuk ka ndodh, për ne, artdashësit e tij jeton dhe do të jetojë përmes humorit që solli ndër vite e po ashtu dhe për sportin. Por pesë vite mund të duken shumë nga zhvillimet e shpejta teknologjike dhe jo vetëm, që po përfshijnë çdo fushë të jetës, përfshi dhe artin e sportin. Pyetja në fund të takimit me Enkelejdën, Florindën dhe Xhodin që secili prej nesh i bëri vetes ishte: nëse Veli Rada do të ishte ende mes nesh, a do të përshtatej dot me këtë vrull ndryshimesh kaotike që kanë përfshirë çdo fushë?
Për fëmijët e tij Veli Rada do të ishte pak kontravers me kohën në të cilën jetojmë dhe do e kishte të vështirë të ndryshonte parimet e veta. “Nuk do e gjente veten për artin e sportin, ndoshta do ta shijonte faktin për të parë art e sport e për të shkuar kudo, po vetë do i dukej e vështirë përfshirja. Do ta kishte shumë të vështirë përshtatjen me realitetin”, thotë Enkelejda.
E siç e ka thënë Ciceroni, jeta e atyre që ikën është e vendosur në kujtesën e të gjallëve, dhe kështu do të jetë dhe për ata që e njohën dhe e deshën Veli Radën./ tirananews.al
