Keidi Bare mund të jetë protagonist përsëri në La Liga duke filluar që nga janari. Kjo është bomba e merkatos që vjen nga Spanja, ku futbollisti ka treguar të gjitha vlerat e tij me fanellën e Malagas duke qenë një nga mesfushorët më të spikatur në La Liga 2.
Bare zgjodhi në vitin 2018 të largohej nga Atletiko Madrid ku luante me akademinë për t’iu bashkuar Malagas, ku pak nga pak gjeti vend në ekipin e parë të skuadrës së njohur. Ai tashmë është kthyer në një titullar të paprekshëm për këtë klub dhe vlerat e tij kanë rënë në pah më shumë në këtë edicion ku ekipi ka vuajtur realisht sa herë që ai nuk ka qenë në fushë.
Përtej kësaj, edhe paraqitjet me fanellën e përfaqësueses shqiptare kanë bërë që mbi 22-vjeçarin të hedhin sytë klube të La Liga dhe sipas asaj që raporton prestigjiozja “Marca”, disa prej tyre kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e tij. Normalisht, Malaga nuk do të linte t’i ikte nga duart një futbollist me kaq vlerë, por klubi po kalon një krizë ekonomike dhe në mënyrë që të blejë futbollistë të tjerë në janar e të paguajë borxhe, mendohet se do të sakrifikojë Baren.
Kështu, lojtari pritet të kthehet në La Liga shumë shpejt, aty ku nuk arriti të bëhej protagonist me fanellën e Atletiko Madrid, por ku mund të kthehet si kundërshtar i skuadrës së drejtuar nga Diego Simeone.
