Opozita e bashkuar nuk ka ende një konsensus nëse duhet ndryshuar apo jo sistemi zgjedhor dhe nëse po, cili do të ishte më i përshtatshëm për Shqipërinë.
Grupi i punës që udhëhiqet nga drejtuesi politik Gazment Bardhi, vijon punën prej disa muajsh për të dalë në janar me draftin e tij final.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, sekretari i PD-së për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, tha se grupet e punës vijojnë diskutimet sa i përket sistemit zgjedhor. Kaso theksoi se prioritet i PD-së është adresimi i shqetësimeve të evidentuara nga OSBE/ODHIR-i. “Prioritizimi që opozita u ka bërë çështjeve të reformës synon t’u japë zgjidhje problemeve më të mprehta të zgjedhjeve, veçanërisht ato të cilat janë të evidentuara në raportet e fundit të ODIHR-it.”, tha ndër të tjera Kaso.
Ndërkohë, sekretari për çështjet zgjedhore i PD-së shtoi se opozita është e përgatitur të fitoj zgjedhjet e parakohshme, edhe me kodin elektoral aktual, por vetëm nëse zgjedhjet organizohen nga një qeveri e përkohshme. Po ashtu, Kaso akuzoi kreun e qeverisë se po tenton të bllokojë Reformën Zgjedhore gjithëpërfshirëse.
Z. Kaso, pak javë më parë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha,
deklaroi se opozita është gati të konkludojë Reformën Zgjedhore brenda
janarit. Në draftin tuaj të Reformës Zgjedhore, ka ndonjë propozim për
ndryshimin e sistemit? Në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës
Zgjedhore, dy deputetë, Myslym Murrizi dhe Halit Valteri, dorëzuan një
propozim për sistemin zgjedhor, ndërsa maxhoranca u shpreh e gatshme për
të diskutuar për këtë, ndërsa mësohet se nuk është prioritet i tyre. Ka
opozita ndonjë propozim ose sistem preferencial, të cilin e ka
diskutuar në grupin e punës?
Padyshim që çështja e sistemit, është aspekti i reformës që tërheq më
shumë interes mediatik dhe të një pjese të publikut, por prioritizimi që
opozita u ka bërë çështjeve të reformës synon t’u japë zgjidhje
problemeve më të mprehta të zgjedhjeve, veçanërisht ato të cilat janë të
evidentuara në raportet e fundit të ODIHR-it. Në këtë kontekst,
diskutimi për sistemin zgjedhor përbën padyshim një temë të rëndësishme
në axhendën e tryezës së ekspertëve të opozitës, ku po trajtohet në
mënyrë parimore, serioze e shteruese, duke u përpjekur të evidentojmë
sistemin, pikat e forta e të dobëta të sistemit aktual dhe avantazhet e
mundshme të sistemeve të tjera. Diskutimi ende vijon midis aleatëve tanë
dhe Partia Demokratike është e përkushtuar për të mbështetur çdo
vendimmarrje të tryezës së aleatëve për një sistem sa më përfaqësues, i
cili do të garantojë legjitimitet të institucioneve të dala nga
zgjedhjet, stabilitet dhe mbi të gjitha besim publik në qeverisje.
Kreu i PD-së tha në një mbledhje të Kryesisë së Partisë
Demokratike dhe ish-Grupit Parlamentar se Kryeministri Rama po përpiqet
të bllokojë Reformën Zgjedhore, duke mos përfshirë të gjitha palët. Ka
pasur kohët e fundit ndonjë përpjekje tjetër të ndërkombëtarëve për një
tryezë të radhës dhe që është refuzuar nga kreu i qeverisë? Ose si po e
bllokon Rama reformën?
Tentativa e Ramës për të miratuar i vetëm një pseudoReformë Zgjedhore,
shkon në krah diametralisht të kundërt me kushtin e Bundestagut për një
Reformë Zgjedhore të miratuar me kontributin e të gjithë aktorëve
politikë relevantë. Kjo, për këdo që ende ka ndonjë keqkuptim, është
treguesi më i qartë se cila nga palët politike e ka seriozisht, jo vetëm
Reformën Zgjedhore, por mbi të gjitha përmbushjen e kushteve të
partnerëve ndërkombëtarë dhe progresin e Shqipërisë në rrugën e
integrimit europian.
Qeveria ka shtyrë deri në mars gjendjen e jashtëzakonshme,
çka nënkupton se deri në mars, nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme.
Kur mund të jetë koha e përshtatshme, sipas jush, duke marrë parasysh
edhe kohën që duhet për të implementuar Reformën Zgjedhore?
Opozita është e përkushtuar për të ofruar kontributin dhe zgjidhjet e
saj në një kohë fare të shkurtër, çka i hap rrugën miratimit të tyre në
Parlament, në fillim të këtij viti, nëse ka vullnet për të miratuar një
reformë konsensuale, e cila në substancë pasqyron standardet më të larta
zgjedhore ndërkombëtare. Nga ana tjetër, opozita është e përgatitur për
të fituar zgjedhjet e parakohshme kurdo kur ato mund të mbahen, qoftë
me Reformë Zgjedhore të miratuar e qoftë me Kodin aktual, i cili
gjithsesi do të ofronte garanci për zgjedhje të lira, nëse do të
implementohej nga një qeveri kujdestare, jashtë konfliktit të interesit
me zgjedhjet e lira.
Mendoni se identifikimi, votimi dhe numërimi elektronik mund të implementohet që në zgjedhjet e ardhshme në të gjithë vendin?
Sistemi i ilustruar në kuadër të propozimeve e të zgjidhjeve të ofruara
nga ana jonë për identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe votimit e
numërimit elektronik, nga ana teknike është i gatshëm për t’u
implemetuar njëherazi në të gjithë vendin, në një kohë shumë të
shkurtër. Ajo çka nevojitet, është mbështetja edhe besimi i të gjitha
palëve politike te teknologjia, çka do të ndikojë te përmirësimi i
klimës së besimit të të gjithë zgjedhësve te procesi zgjedhor dhe te
legjitimiteti i institucioneve të dala nga zgjedhjet.
Cili është propozimi i opozitës për depolitizimin e administratës zgjedhore?
Implementimi i teknologjisë është rruga më e shpejtë, e ndershme dhe e
besueshme për depolitizimin e administratës zgjedhore, ku shumë shpejt
komisionerët partiakë do të zëvendësohen nga staf teknik, i cili do të
përkujdeset vetë për mbarëvajtjen e makinerive të votimit e numërimit e
për orientimin e zgjedhësve për një proces normal zgjedhor.
Duhet shkrirë sipas jush KQZ-ja?
Ende tryeza e opozitës nuk ka konkluduar një qëndrim përfundimtar lidhur
me modelin e KQZ-së së ardhshme, por një gjë është e sigurt: kjo KQZ, e
cila ka drejtuar procesin kriminal të 30 qershorit, ka uzurpuar
kompetencat e institucioneve të tjera dhe ka marrë atributet e
gjykatave, nuk mund të administrojë zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të
prodhojnë rotacionin politik të mezipritur nga të gjithë shqiptarët.
