Teksa prisnim radhën në një farmaci në kryeqytet, të gjithë klientët, të moshave të ndryshme, po merrnin me recetën në dorë, medikamentet e nevojshme: dikush ilaçe tensioni, zemre, mjekime për rrufë apo për dhembje koke. Të gjithë i shoqëruan shpenzimet e tyre me një multivitaminë. E habitur, pyes farmacisten nëse kishin pasur kërkesa për marrje multivitaminash, dhe ajo më përgjigjet se shitjet kanë pësuar ‘boom, të nxitura nga shoqërimi i medikamenteve që e kanë të nevojshme patjetër, por edhe si kërkesa specifike vetëm për vitamina. “Dhe, jo vetëm në farmacinë time” – më përgjigjet zonja pas banakut të bardhë, tavolina e saj e punës prej një jete. “Nga depot farmaceutike kemi dëgjuar se ka kërkesa” – shton ajo.
George Bernard Shaw, aktivisti irlandez i njohur për fokusin te shëndeti, ka thënë dikur “jepini një njeriu shëndet dhe një kurs për të drejtuar dhe ai kurrë nuk do të ndalet, duke u shqetësuar nëse është i lumtur apo jo”.
Si tendencë në të gjithë botën, njerëzit gjithnjë e më shumë po kuptojnë vlerën e të qenët i shëndetshëm, duke rritur interesimin për të gjitha gjërat që e promovojnë atë.
Pak vite më parë, dolën artikuj nga ekspertë të fushës që nënvizonin rëndësinë e vitaminës D, që çuditërisht një popull si ne, me kaq shumë ditë me diell në vit, kemi mangësi. Atëherë, farmacitë raportuan interesimin në rritje për vitaminën D, nga mosha kryesisht të reja.
Në të gjithë botën, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë mjete ‘afër natyrales’ për të kuruar problematikat dhe eliksirë për t’i ndihmuar ata të qëndrojnë të shëndetshëm në vitet e tyre të ‘muzgut’. Shëndeti nuk është vetëm një qëllim, thonë ekspertët nutricionistë. Është njëkohësisht një zgjedhje jetese dhe një treg i lulëzuar me konsumatorë.
Rritja e imunitetit është një nga qëllimet kryesore të njerëzve që marrin multivitamina dhe suplemente, thekson mjekja Denisa Nika, nëndrejtoreshë e QSUT.
“Në periudha si vjeshta, që nis me shtatorin, shumë janë të bindur se multivitaminat mund të parandalojnë ftohjen dhe çrregullime të tjera shëndetësore dhe shpesh, u drejtohen menjëherë farmacive për të marrë një të tillë, qoftë për fëmijë apo për të rritur” – thotë Dr. Nika, si një tendencë e vëzhguar prej saj vitet e fundit.
Në dekadën e fundit, shitjet e vitaminave, mineraleve dhe shtojcave ushqimore dhe bimore janë rritur dhe shumë kompani të reja janë bërë pjesë e kësaj torte të madhe. Në nivel global, tregu vlerësohet në 82 miliardë dollarë, me afërsisht 28% të saj në SHBA.
Pse industria e suplementeve po rritet kaq shpejt?
Shumë ekspertë thonë se bumi në shitjet e vitaminave dhe suplementeve të tjera vjen prej ndërgjegjësimit të konsumatorëve për shëndetin, një popullsie në plakje dhe qasjes më të madhe në informacionin shëndetësor nëpërmjet teknologjisë dixhitale.
Dr. Pediatre Luna Spahia, me përvojë 20-vjeçare në Shqipëri, thotë se ndërsa njerëzit plaken, ata bëhen më të interesuar për shëndetin e tyre, por shpesh marrja e suplementit të duhur mund të jetë sfiduese. “Njerëzit duhet gjithnjë të konsultohen me një ekspert mjek. Në rastin konkret, edhe me rritjen e studimeve të shumta dhe njohurive tona, ne rekomandojmë marrjen e vitaminës D për fëmijët nga 0-2 vjeç. Dikur ishte e mjaftueshme deri në 1 vjeç. Megjithatë, duhet pasur parasysh se asnjë konsumator s’mund të marrë medikamente, qoftë vitamina, vetë në farmaci” – thotë Dr. Spahia.
Mjekët përmendin edhe një fenomen tjetër, konsumatorët që drejtohen vetë te farmacitë, zakonisht përdorin internetin për të hulumtuar produkte, për të shtuar përbërës dhe marka, kështu që ata kanë më shumë të ngjarë të blejnë produkte në internet. Edhe rritja e ndërgjegjësimit të konsumatorvëe për kujdesin shëndetësor parandalues kontribuon në rritjen e industrisë.
Cilat janë suplementet dietike?
Suplementet përfshijnë vitamina, aminoacide, produkte bimore. minerale dhe enzima dhe konsumatorët mund t’i blejnë ato në pluhur, xhel të butë, lëngje, tableta dhe kapsula. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave dhe autoritetet e tjera rregullatore nuk kanë mandat të rishikojnë dhe rregullojnë shtesat dietike. Përballë rregullimit të lirë, kompanitë kanë disa pengesa në marketingun e produkteve, veçanërisht në internet.
FDA pranon që disa shtesa mund të jenë të dobishme, por agjencia paralajmëron kundër rreziqeve të caktuara shëndetësore, siç janë kombinimi i suplementeve, zëvendësimi i tyre me ilaçe pa recetë dhe marrja më shumë sesa kërkesat tuaja ushqyese të përditshme. / Marrë me pjesë nga Monitor
Disa nga shtesat më të zakonshme përfshijnë:
Echinacea
Vaj peshku
Kalcium
Vitaminë D
Multivitamina
Glucosamine
Aminoacidet për bodybuilding
