Dita e sotme 6 Janar, simbolizon ditën e ‘Ujit të Bekuar’, ku besimtarët ortodoksë mblidhen për të festuar dhe sipas traditës të rinjtë garojnë për të kapur kryqin që hidhet në lum nga një prift. Ceremoninë e hedhjes së Kryqit të shenjtë në lumë, zanafilla e lidh me pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzoi në lumin Jordan.
Në Pogradec pavarësisht temperaturave tepër të ulëta, një grup prej 8 djemsh të rinj janë futur në liqen për të nxjerrë kryqin e hedhur nga prifti ortodoks. Ky ritual është bërë një traditë e përvjetshme për besimtarët e krishterë në kuadër të festës së Ujit të Bekuar.
Edhe në qytetin e Elbasanit është festuar ditën e sotme ‘Dita e ujit të bekuar’. Ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë është zhvilluar në një nga pishinat në periferi të qytetit. Edhe pse temperaturat kanë qene tepër të ulëta të rinjtë janë futur në ujë për të kapur kryqin që u sjell fat. Ceremonia e ujit të bekuar në Elbasan u drejtua nga metropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Imzot Andoni, ndërsa u ndoq nga mjaft besimtarë.
Në ujë u hodhën tre djem ,por kryqi fatsjellës u kap nga 19 vjeçari, Julian Shqau nga Gjinari. Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast hirësia e tij Imzot Andoni vece përcolli urimin e tij u lut kryesisht për ditë më të mira për Shqipërinë, veçanërisht ndaj njerëzve që po kalojnë ditë të vështira.
19-vjecari i cili e kapi për herë të parë kryqin u shpreh mjaft i lumtur, me kryqin fatsjellës në duar ai përcolli urimin e tij për besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin.
Kremtimi i 6 janarit në Vlorë, ‘Epifania’, festa fetare e simbolizuar me hedhjen e kryqit në det.
Në Vlorë vetëm një person është hedhur në det për të sfiduar veten dhe temperaturat e ulëta për gjetjen e kryqit të shenjtë. Në një ditë ku temperaturat kanë qenë mjaftueshëm të ulëta, rituali i ditës së Epifanisë që përfundon me hedhjen e kryqit të shenjtë në det,është ndjekur nga dhjetëra persona dhe besimtarë.
Klodjan Shani, ka qenë personi i cili ka arritur të kapë kryqin në ujërat e ftohta të detit.
Ceremoni e startuar me ritualin fetar të kësaj dite të shenjtë dhe përfunduar me hedhjen e kryqit në det,ndërsa nuk ka munguar urimi edhe nga prifti i kishës së “Shën Theodorit në Vlorë, At Konstandin Prifti i cili ju ka bërë thirrje besimtarëve për të qenë më të shumtë në numër në ceremoni të tilla. Mjaft i lumtur është shprehur edhe personi që kapi kryqin, Klodjan Shani ,për të cilin është hera e parë dhe ja dedikon të gjithë besimtarëve Orthodosk të cilët festojnë këtë ditë të shenjtë. Detsa ka startuar pranë kishës ortodokse “Shën Theodori” në Vlorë, me meshën e organizuar për të përfunduar pikërisht me hedhjen e kryqit ne det.
8 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit edhe pse temperaturat kanë qenë nën zero, janë hedhur në ujin e ftohtë të lumit për të kapur kryqin. Me gjithë temperaturat e ulëta, nën zero gradë, në lume u hodhën 8 të rinj. Kryqi u kap nga 42 vjeçari nga Berati, Alfred Xhimitiku.
Si çdo vit, për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 500 mijë lekë (të vjetra) dhe ai me kryqin në dorë shkon në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë, Mangalem e Kala, banorët e të cilave dorovisin kryqin e bekuar që mban në dorë i riu. Pas hedhjes së kryqit, të gjithë besimtarët e krishterë beratas, i drejtohen sërish Kishës së Shën Dhimitrit, për të mbushur bidona me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e mbajnë për gjithë vitin, pasi ky ujë për ta shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin,dhe pihet sa herë kur ata janë të sëmurë.
Ndryshe nga një vit më parë ku në këtë ceremoni pati sherr mes të rinjve për kapjen e kryqit, këtë vit nuk ndodhi asnjë incident, madje pasi kryqi u kap nga 47-vjeçari të gjithë mblodhën duart bashkë.



