Nga 1 janari sipas ligjit qytetarët kanë drejtë të rivlerësojnë pronat e patundshme me taksa të zbutura.
Ligji i ri i jep të drejtën këtij individi, që ta rivlerësojë banesën me çmim tregu duke paguar jo 15 për qind taksë, por vetëm 3 për qind.
Mirëpo qytetarët, të cilët kanë dëshirë të përfitojnë nga ky ligj, deri më tani e kanë pasur thuajse të pamundur, pasi ditët e pushimit kanë bërë që ata t’i humbin këto ditë, nga data 1 deri në datën 5 Janar. Sipas burimeve për Tirananews.al nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës ende nuk kanë nisur rivlerësimet, por në sistemin e-albania kanë nisur aplikimet. Ditën e parë është bërë e mundur të bëhen vetëm 4 aplikime për shkak se më pas ka rënë sistemi. Nuk dihet nëse ka rënë nga ngarkesa apo për shkak të ndonjë problemi teknik.
Sipas legjislacionit të mëparshëm tatimor, shitja e një prone të patundshme në Shqipëri, qoftë kjo banesë apo tokë, i nënshtrohej taksës 15 për qind, e cila llogaritet mbi diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes.
Pra, nëse një individ e ka blerë një apartament 60 mijë euro para disa vitesh, por sot e shet atë 80 mijë euro, atëherë ai do të duhet të paguante një taksë 15 për qind mbi diferencën e çmimit të shitjes me atë të blerjes. Pra, kjo diferencë është 20 mijë euro dhe detyrimi tatimor që do të duhet të paguante qytetari do ishte 3 mijë euro. Por tashmë qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë nga ky ligj i ri duke paguar vetëm 600 euro. Norma e re për rivlerësimin e shtëpive do jetë deri në muajin shtator të vitit 2020 dhe ende nuk dihet nëse do të ketë apo jo shtyrje të afatit qoftë edhe për shkak të këtyre problemeve. Nga rivlerësimi është llogaritur të rivlerësohen nga 20 mijë deri në 50 mijë banesa.
