Gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në Elbasan, kryetarja e saj Monika Kryemadhi tha se mos hapja e negociatave do të vërë në diskutim të ardhmen e Shqipërisë.
“Por sigurisht ka një njeri, i cili nuk do që kjo gjë të ecë sepse duke mbyllur Reformën Zgjedhore, sigurisht që z. Rama i vjen hapi i dytë i Reformës Zgjedhore që janë zgjedhjet. Megjithatë ky nuk është problemi ynë. Problemi ynë është që Shqipërisë t’i garantohen hapja e negociatave. Pse e them hapja e negociatave? E them sepse hapja e negociatave është procesi më i rëndësishëm për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar sepse nëse Shqipëria do të marrë një tjetër jo në hapjen e negociatave, atëherë e ardhmja e Shqipërisë do të vihet në diskutim. Vihet në diskutim për shkak të shpopullimit masiv që do të ndodhë. 57% e të rinjve shqiptarë që kanë ikur, ikin sepse nuk gjejnë besimin dhe nuk kanë siguri ër zhvillimin e të ardhmes së tyre, për krijimin e kushtetve të punës, për krijimi ne investimeve, për krijimin e biznesit apo për krijimin e familjes së tyre.
17% e tyre ikin për shkak të shkollimit sepse çdo ditë e më shumë sistemi ynë arsimor po shkatërrohet. Po shkatërrohet për shkak të politikave, të cilat në fakt kanë ardhur si një rezultat i periudhës së tranzicionit dhe për këtë jemi përgjegjës që të gjithë”, tha Kryemadhi.
Ajo foli për nevojën e një pakti kombëtar afatgjatë për reformat që i duhen vendit. ” Megjithatë sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për Paktin Kombëtar, një Pakt Kombëtar që nuk është marrëveshje politike, por një Pakt Kombëtar që ka të bëjë me realizimin e reforma kryesore siç është Reforma Kryesore, Reforma Elektorale, Reforma në Arsim, Reforma në Shëndetësi, Reforma në Bujqësi, atë që tha pak më parë dhe profesor Mondi ku 50% e popullsisë shqiptare jeton në bujqësi”, vijoi ajo.
