Nën shembullin e ndjekur për Skënderbeun, studiuesit kërkojnë që 2019 të shpallet viti i Ismail Qemalit. Kërkesa për qeverinë shqiptare u artikulua nga Vlora ku babai i pavarësisë u përkujtua në 100 vjetorin e ndarjes nga jeta!
Studiuesit dhe intelektualët kërkojnë nga qeveria shpalljen e vitit 2019, si vit Jubilar të Ismail Qemalit.
Kërkesa drejtuar kryeministrit Edi Rama u artikulua gjatë akademisë kujtimore mbajtur në Vlorë në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Babait të Shtetit modern shqiptar.
Ismail Qemali, për studiuesin e krijuesin Ndriçim Kulla ishte shqiptari i parë që hodhi themelet e ëndrrës Evropiane.
Ndricim Kulla tha se: “Të shpallë 2019 si vitin jubilar të Ismail Qemalit. Skënderbeu qe shqiptari i pari që na bëri të njohur në Europën që duam, Ismail Qemali qe shqiptari që hodhi themelet e ëndrrës evropiane, që ka një shekull që synojmë”.
Bujar Leskaj, organizator i akademisë përkujtimore, theksoi veprimtarinë e Ismail Qemalit për çështjen kombëtare dhe nënvizoi veçorinë e qeverisë së Vlorës
Bujar Leskaj nënvizoi:”Formoi një kabinet qeveritar ku për herë të parë dhe për ndoshta të fundit, ministrat nuk u zgjodhën nga kryeministri, por ja la në dorë Kuvendit Kombëtar”.
Në konferencën shkencore të organizuar nga instituti i Studimeve Politike Ismail Qemali në bashkëpunim me Shoqatën që mban emrin e babait të pavarësisë, referuan autoritete dhe akademikë të historisë, artit e kulturës.
