Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

Vrasja e parë në kufi e vitit 1990, dëshmitë e ushtarëve

20:27 / February 5, 20205 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nga Kastriot Dervishi

Fletën e parë të vrasjeve në kufi të vitit 1990, e çel ngjarja e hidhur e ndodhur në Kolonjë, në postën e Rehovës, aq e përfolur për pjesëmarrje në këto krime. Sipas komunikatës nr.28, datë 3.2.1990 të MPB-së, më 2.2.1990, rreth orës 24.00 njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, “ra në përpjekje” (e pavërtetë në fakt) me 3 shkelës të kufirit nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirian Ismail Zari, vjeç 30. I spiunuar nga një fshatar i zonës, në orën 5.00 të datës 3.2.1990, u kap Agim Ismail Zari, vëllai i Ilirit. Vazhdonte kërkimi për kapjen e të tretit Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja, banues në Tiranë, martuar me motrën e dy vëllezërve Zari, i cili nuk rezulton i diktuar dhe arrestuar. Kufoma e Ilirit u varros në mënyrë të fshehtë në fshatin Mësiçkë në mes të një pylli. Ajo u zhvarros nga të afërmit më 3.9.1991. Në lidhje me këtë ngjarje kanë dëshmuar edhe ushtarët. Gjuha e tyre që duket në shprehjen “ku do të vini o maskarej”, është tipike e një urrejtjeje të verbër e të pakuptimtë. Një pjesë, paraqitet më poshtë.

***

Dëshmia e ushtar Albanit, i lindur më 17.5.1970 në Laç, me 10 klasë shkollë:

“Te vendi i shërbimit u vendosëm rreth orës 18.30. Rreth orës 24.00, unë pashë 3 vetë të cilët vinin për të kaluar kufirin në Greqi. Kur ata ishin afruar rreth 50 metra, unë i dhashë sinjal përgjegjësit të njësitit për kalim kufiri. Astriti i pa ata dhe doli lart për të bllokuar vijën e kufirit. Kur ai kaloi për të bllokuar vijën e kufirit, unë u ula pak më poshtë. Në këtë kohë, Astriti bëri ndaljen e tyre. Ai që ishte i pari tha “mos qëlloni se jemi edhe ne të armatosur”, kurse dy të tjerët që ishin pas tij u larguan pak nga ai duke u postuar anash tij. Në këtë kohë desh të largohej edhe ai që ishte i pari. Në këtë moment neve të dy qëlluam në drejtim të tij. Me qenë se e goditëm, ai u rrëzua dhe tha: “O më vratë”. Sa dëgjuan krismën e automatikëve tanë, ata të dy u larguan me vrap poshtë. Astriti i ndoqi ata. Unë pashë personin që kishim qëlluar, i cili kishte vdekur. Pasi u sigurova që kishte vdekur, kalova në bllokim të kufirit, të mos kalonin ata të dy. Unë di të them se ai që vramë ishte i pari dhe dy të tjerët, ishin pas tij, rreth 3 – 4 metra larg njëri – tjetrit. Pas pak erdhi njësiti tjetër për ndihmë”.

Dëshmia e ushtar Astriti, lindur 4.2.1969 në Ballsh, me arsim 8 vjeçar:

“Në ora 18.30 vajtëm te vendi i cili ishte në afërsi të vijës së kufirit dhe u vendosëm në vendin e shërbimit. Unë isha përgjegjësi i njësitit. Unë organizova shërbimin sipas rregullores që ma kishte dhënë komandanti i postës. Në ora 24.00 anëtari i njësitit Albani kishte parë 3 persona të cilët po tentonin për të kaluar kufirin. Ai më sinjalizoi mua sipas sinjaleve që kemi. Unë sapo mora sinjalin nga ai, pashë 3 persona që ishin duke kaluar nga brenda – jashtë shtetit për në Greqi. U ngrita, dola me kujdes nga lart për t’u bllokuar rrugën që to mos kalonin kufirin. Duke kaluar nga sipër, shkava në akull dhe u rrëzova. Kur u rrëzova doli krehri i automatikut. Menjëherë vendosa krehrin tjetër dhe bëra ndaljen. U thashë: “Ndal mos lëvizni, jeni të rrethuar”. U bëra thirrje shokëve që t’i kapnin. Kur unë u bëra ndaljen, njëri prej tyre që ishte më afër meje tha: “Mos ushtar se jemi me armë”. Ai desh të largohej poshtë. Unë i thash përsëri: “Mos lëviz se të vrava”. Ai u nis për të ikur poshtë dhe u tha shokëve të tij: “Hë juve çfarë bëni me armë”. Në këtë kohë unë i thashë edhe anëtarit të njësitit Albanit, “zjarr” dhe vetë qëllova në drejtim të tij. Neve e goditëm dhe ai u rrëzua duke thënë: “O ushtar, më vrave”. Sa u rrëzua ai përtokë, dy të tjerët ikën në drejtim të fshatit Starje. Unë i thashë Albanit “dil shpejt nga lart që të mos kalojë kufirin” dhe në të njëjtën kohë u thashë atyre “ndalni, ku do të vini o maskarenj” dhe i ndoqa duke i qëlluar me automatik me breshëri. Unë i ndoqa rreth 1 mijë letra poshtë megjithëse ata ikën me vrap dhe unë nuk i shikoja dot. Dua të shtoj se kur i pashë unë, ata të tre ishin njëri pas tjetrit. I pari ishte ai që vramë. Mua mu dukën të gjatë që të tre. Te vendi që u rrëzua ai që vramë, unë lashë krehrin e prishur me fishekë. Mbasi i ndoqa ata, siç thashë më lart, u ktheva te banditit i vrarë dhe pashë se kishte vdekur”.

Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Natë tmerri! Përfshihet nga flakët hoteli në Vlorë, pushuesit hidhen nga ballkoni për të shpëtuar! 6 të lënduar, 5 dërgohen në Tiranë

10:46 / August 16, 2026

Zjarret në Shqipëri/ Reagon presidentja e KE, Von der Leyen: Presioni nga zjarret po rritet, BE-ja në gatishmëri për të ndihmuar

20:53 / August 15, 2026

Ministri Nufi: Disa vatra zjarri aktive në Dajt, Bulqizë dhe Lurë. Nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara

20:28 / August 15, 2026

Mesazhet mashtruese online, Policia: Si të veproni që të mbroheni nga abuzuesit

20:22 / August 15, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.