Konkretizimi i partneritetit strategjik me Kosovën si një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal ka theksuar kreu i shtetit Ilir Meta në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Duhet të konkretizojmë Partneritetin Strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal”, – tha Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit dhe Kryeministri Kurti diskutuan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceseve integruese të të dy vendeve në BE, si dhe zhvillimeve në rajon.
Presidenti Meta tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Në këtë kuadër, – tha Kreu i Shtetit, “janë të mirëpritura dhe përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.
“Është e rëndësishme, – vijoi Presidenti Meta, “që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”.
Presidenti Meta shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës do të vijojnë të përfaqësojnë interesin më të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Presidenti Meta inkurajoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe partnerët e tjerë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës.