Ministri i Jashtëm rumun, vendi i të cilit ka presidencën e BE-së në këtë 6-mujor i bën apel Bashkimit Europian të nisë negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, gjatë presidencës rumune.
Teodor Meleșcanu i bëri deklaratat në Bruksel, gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës rumune.
““Në vitin 2018 Këshilli i Bashkimit Europian aprovoi një paketë ambicioze për politikën e saj të zgjerimit dhe ne besojmë fortë se Bashkimi Europian do të realizojë premtimet e tij. Ne mendojmë se me mbështetjen tonë të fortë, kombinuar me përgjegjësinë e vendeve në këtë proçes dhe me rezultate konkrete e të prekshme që janë kusht për progresin në axhendën europiane, do të krijohet një kontekst favorizues për Këshillin që të marrë vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë dhe me Shqipërinë në qershor. Ne do të vazhdojmë të mbështesim gjithashtu avancimin në negociatat e anëtarësimit me Serbinë dhe Malin e Zi. Ndërkohë, Bosnje dhe Hercegovia kërkon vëmendjen e Bashkimit Europian për të evituar një qasje jo të ekuilibruar të BE-së ndaj këtij vendi”, tha ai.
Mes prioriteteve të tjera të presidencës rumune është dhe mbështetja e të rinjve në Ballkan, përmes një forumi që do të organizohet në maj.
