Vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të bëhet kur të procesi i anëtarësimit të jetë reformuar dhe nëse ka besim se do të funksionojë është shprehur presidenti francez Emmanuel Macron.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Macron tha se ai nuk e pëlqen termin “veto franceze”, duke pretenduar se kishte shumë vende të tjera që kundërshtuan hapjen e negociatave për këto dy vende tetorin e shuar.
Sipas Macron, parakushti për hapjen e negociatave është që rregullat të ndryshohen pasi procesi është shumë teknokratik dhe jo transparent. Presidenti francez tha gjithashtu se procesi duhet të jetë i qartë dhe i khyeshëm, dhe se BE duhet të jetë e aftë ” të tërhiqet nëse nuk funksionon”.
“Kur flasim në mars, do të shohim atë çfarë do të thotë Komisioni, çfarë progresi kanë bërë vendet, dhe nëse ka besim se do të funksionojë, ne do të jemi të gatshëm të çelim negociatat”, ka thënë Macron.
Sipas tij, hyrja në BE e Ballkanit Perëndimor është një objektiv strategjik. “Nëse ne duam të përfshijmë Ballkanin Perëndimor në BE ne duhet të investojmë në infrastrukturë, kulturë dhe gjuhë”, tha Macron.
Ai shtoi se BE duhet të jetë e qartë dhe jo hipokrike dhe ti ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perespektivë të qartë anëtarësimi nëse ata përmbushin kushtet.
“Ne duhet tu themi atyre se mund të na bashkohen kur të plotësojnë kushtet”, përfundoi presidenti francez.