Pas kryeministri Edi Rama e shkarkoi live drejtorin e Hipotekës së Durrësit, pasi akuzohet për shkelje të detyrës, vjen konfirmimi edhe nga ministria e Drejtësisë.
Përmes një konference për shtyp ministrja Etilda Gjonaj pohoi se kryeregjistruesi i Hipotekës së Durrësit bashkë me dy punonjës të këtij institucioni janë pushuar pas rastit të transmetuar në emisionin ‘Fiks Fare’.
“Për drejtuesin dhe dy punonjës të Hipotekës Durrës, është bërë verifikimi i rastit. Është shkarkuar drejtori i Hipotekës dhe dy specialistë të zonës 1-2. Kjo zyrë ka qenë në inspektim. Një ekip nga Tirana do të kryejë një hetim të thelluar të gjithë zyrës së Hipotekës.
Do të largohen të gjithë punonjësit që janë në shkelje. Do të marrim të gjitha masat për të gjithë ata që shkarkohen sot. Do të ndërtojmë nga e para të gjithë zyrën vendore të Hipotekës së Durrësit”, tha Gjonaj.
