Punonjësit socialë nuk do të mund ta përfitojnë me licencën, nëse nuk kanë arritur të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë, master të profilit shkencor apo profesional. Ndryshe nga vitet e shkuara, kur punonjësit e përfitonin licencës vetëm me ciklin e parë të studimeve, ‘Bachelor’, këtë vit projektvendimi i qeverisë, i hedhur për diskutim, ka pësuar ndryshime.
“Vendosja e kriterit “të zotërojnë diplomën e studimeve të larta “Bachelor” në punë sociale dhe “Master Shkencor/Profesional” në fushën e punës sociale ose ekuivalente me të sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, lëshuar nga institucionet e arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin” duhet të jetë kriteri i domosdoshëm për t’u anëtarësuar në Urdhër dhe për t’u licencuar pasi është në përputhje me qëllimin e ligjit për të rregulluar profesionin e punonjësit social dhe do të garantojë cilësinë e shërbimeve në fushën e punës sociale, sidomos në atë të shërbimeve sociale”, bën me dije projektvendimi.
Më tej saktësohet se çdo person i cili nuk plotëson kriteret e parashikuara do të penalizohet edhe nga anëtarësimi i Urdhrit të Këshillit Kombëtar. Ndërkohë personat të cilët nuk kanë diplomën e parashikuar, por kanë eksperiencë pune nga 3 deri në 10 vjet pune do të bëhen anëtar të urdhrit të punonjësit social, vetëm nëse marrin provimin e shtetit.