Koronavirusi është bërë shqetësim kryesor për çdo shtet në botë. Në Britani, numri i të prekurve ka shkuar në 85, 34 më shumë se një ditë më parë. Janë rritur edhe testet e kryera, që kanë arritur në kuotën 16.659, 2500 më shumë se të martën.
15 raste pozitive me koronavirus edhe në Holandë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publikoi buletinin e përditshëm, duke saktësuar se numri total i të prekurve në Vendet e Ulëta është rritur në 38, 15 më shumë se një ditë më parë.
Virusi është afruar më pranë me Shqipërinë, që deri tani, fatmirësisht, nuk ka asnjë rast të evidentuar. Në Greqi është rritur shqetësimi për Covid-19, pasi numri i të prekurve është rritur në 9. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rasti i fundit është një shtetas grek që kishte udhëtuar në Egjipt dhe Izrael.
10 raste të reja në zonën e Mulhouse, në Francë. Ata janë anëtarë të dy familjeve, që kishin marrë pjesë në një grupim fetar.
Sipas të dhënave nga universiteti “Johns Hopkins”, numri total i viktimave në të gjithë botën ka shkuar në 3198, ndërsa të prekurit 93.455. Ndër ta 50.700 janë persona të shëruar.