Dy nxënës, fëmijë emigrantësh shqiptarë dyshohen për koronavirus në një shkollë në Leheo, Korinth të Greqisë. Bëhet fjalë për dy vëllezër me simptoma të ngjashme, kollë, temperaturë, shenja gripi.
Kjo ka shkaktuar shqetësim në gjithë shkollën dhe zonën, pasi vëllezërit kishin udhëtuar për të takuar babain e tyre që jeton në Italinë Veriore, zonë e prekur thellë nga koronavirusi.
Mjekët e spitalit të Korinthit, ku po testohen nxënësit shqiptarë kanë qetësuar prindërit dhe mësuesit, duke shpjeguar se kanë simptoma të lehta, ndërkohë që këshilli i prindërve kërkon të mbyllet urgjentisht shkolla.
Ndërkohë kujtojmë se 14 raste të reja të koronavirusit janë konfirmuar në Greqi duke e çuar në 45 numrin total të të infektuarve. Autoritetet shëndetësore në vend njoftuan se vetëm një nga pacientët është në gjendje të rëndë.