Gjatë dëgjesës së parë publike me banorë të Shijakut për programin e rindërtimit kryeministri Edi Rama nuk i dha dorën njërit prej ekspertëve italianë të pranishëm. Kujtojmë që Italia është një nga vatrat e koronavirusit e për kryeminsitrin kjo nuk është punë trimërie.
“S’të jap dorën se vjen nga Italia dhe si dihet kurrë. Se dija që kishte ardhur me kolegen, se do ia jepja asaj fjalën..megjithatë…mbase nuk dhashë shembull shumë pedagogjik me dhënien e dorës, por në fakt, nuk jam i lumtur me këtë bombardim lajmesh për koronavirusin. Është problem për të gjithë botën, por ajo që është e sigurtë, është se krahas me epideminë, ka një infodemi të lajmeve të rreme, të komenteve pa asnjë bazë shkencore, që rrit panikun, ankthin dhe pasigurinë tek njerëzit. OBSH na ka dhënë porosi të përditshme, të jemi të kujdesshëm. Ndaj bëjmë kujdes me kontaktin, thashë edhe për gjestin tim jo-pedagogjik të dhënies së dorës. Por duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Rama.
Ai u bëri thirrje të gjithëve të dëgjojnë e të besojnë autoritetet lidhur me lajmet dhe informacionet për koronavirusin duke thënë se në Shqipëri nuk është regjistruar ende asnjë rast.