Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka firmosur dje një dekret që detyron menjëherë masa të reja shtrënguese për lëvizjen e njerëzve.
Kështu, deri më 3 prill, për shkak të emergjencës nga koronavirusi, rreth 16 milion persona në Lombardi dhe në disa provinca: Veneto, Emilia Romagna e Piemonte është ndaluar hyrja dhe dalja e njerëzve. Hyrja apo dalja nga këto zona janë të lejuara vetëm për arsye serioze dhe “të provuara”, për punë ose familje.
Ky vendim i qeverisë u ndërmor për të përmirësuar situatën prej koronavirusit. Me këtë vendim do të mbyllen palestrat, pishinat, muzetë dhe vendpushimet e skive. Dasmat dhe funeralet nuk do të lejohen gjithashtu. Masat e reja, të cilat gjithashtu vlejnë për qendrën financiare Milano dhe qytetin turistik Venecia do të zgjasin deri më 3 prill.
Italia është vendi më i goditur nga koronavirusi në Europë. Sipas raportimeve të fundit numri i të vdekurve ka kaluar mbi 230 persona ndërsa të konfirmuar janë 5.883 të infektuar.
“Ne duam të garantojmë shëndetin e qytetarëve tanë. Ne e kuptojmë se këto masa do të imponojnë sakrifica, ndonjëherë të vogla dhe ndonjëherë shumë të mëdha,” tha kryeministri Giuseppe Conte të dielën herët në mëngjes.