Biznesi i vogël me TVSH dhe OJF-të do të duhet të hapin llogari bankare në emër të tyre, pasi në të kundër do të marrin gjoba. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përgatitur një projektligj, që është ende në formë drafti për të vendosur një rregull të ri edhe në këtë fushë. Ai parashikon të bëjë shtesën përkatëse në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Shqiptarja.com shkruan se sipas ministrisë, në këtë ligj duhet përfshirë edhe kjo klauzolë: Tatimpaguesit me status “person fizik tregtar” të regjistruar për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, tatimpaguesit me status “person juridik”, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë, si dhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor, janë të detyruar të kenë llogari bankare të biznesit/organizatës të regjistruar.
Ndërkohë parashikohet që mos të jenë subjekte të këtij detyrimi, tatimpaguesit, persona fizikë tregtar të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, në vlera të ulta. Për këtë arsye, është marrë për referencë, kufiri i regjistrimit për përgjegjësinë tatimore: Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Sanksionet
Në mungesë të zbatimit të kësaj kërkese ligjore, parashikohen sanksione të caktuara. Subjektet që do ta kenë këtë detyrim, në rastin kur nuk disponojnë llogari bankare për transaksionet që kryejnë, dënohen si më poshtë.
Tatimpaguesit me status “person fizik tregtar”, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar,me qarkullim deri në 8 milionë lekë, gjobënë masën 50 mijë lekë; tatimpaguesit me status “person juridik” pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit mestatus “person fizik tregtar” me qarkullim mbi 8 milionë lekë, gjobë në masën 100 mijë lekë.
Ndërsa organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 75 mijë lekë. Sipas ndryshimeve të planifikuara, në rast se subjekti nuk ka llogari bankare për transaksionet që kryen edhe pas denimit si më sipër, ai do të dënohet me dyfishin e gjobës së parë. Subjektet e regjistruara rishtaz, duhet të hapin llogarinë bankare jo më vonë se 20 ditë kalendarike pas regjistrimit ne QKB/administratën tatimore. Kurse subjektet që janë të regjistruara në QKB/administratën tatimore, duhet te hapin llogarinë bankare jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji.