Adi Krasta rikthehet në televizion dhe këtë herë do të jetë pjesë e Syri TV. Vitet e fundit të karrierës ia ka dedikuar “talk shovv” dhe në këtë format do të rikthehet sërish. Ka qenë vetë ai që ka bërë të ditur lajmin.
“Para disa ditësh kolegë gazetarë që po punojnë për një stacion të ri televiziv, ‘Syri Television’, më kanë bërë një ftesë publike për të punuar me ta. E pranoj me deshirë ftesën e tyre të respektueshme. Gjithmonë kam patur bindjen se gazetaria mund të jetë një profesion dinjitoz. Faktet janë kokëfortë e të pandryshueshëm. Ja vlen të punohet për t’i percjellë ato tek publiku besnikërisht. Vendit i duhet një publik i informuar. Është gjithmonë një lajm i mirë lindja e një televizioni te ri”, ka shkruar Krasta krah postimit të fundit në rrjetet sociale, duke konfirmuar kështu se do të jetë pjesë e televizionit më të ri në vend.
Kujtojmë se Adi së fundmi ka qenë i angazhuar në televizioni ‘T7’ në Kosovë dhe nuk dihet nëse do ta vazhdojë programin e tij në gjysmën tjetër të Shqipërisë.
Eksperienca e moderatorit të dashur në ekranet shqiptare është mjaft e gjatë, ndaj me siguri dhe teleshikuesit e presin me shumë kurreshtje rikthimin e tij.
