Një grua rreth të 30-ave, banore në Bashkinë e Klosit, është vetëhelmuar mesnatën e një nate më parë.
XH.L., është dërguar me shpejtësi nga të afërmit në qendrën shëndetësore të Klosit, në gjendje të rënduar shëntetësore. Mjekët e kësaj qendre kanë kuptuar se pacientja kishte shenja të një helmimi të rëndë, por nuk kanë mësuar shkakun e përkeqësimit të saj.
Me urgjencë është dërguar në spitalin bashkiak të Matit. Mjekët kanë ndërhyrë për t’i shpëtuar jetën XH.L.-së, madje falë bashkëpunimit me Policinë kanë zbuluar se ajo kishte konsumuar fostoksinë. Pas “lavazhit” dhe mjekimit të parë pacientja është transportuar drejt kryeqytetit për një shërbim më të specializuar.
Gjendja e saj shëndetësore sot u përmirësua ndjeshëm. E pyetur nga të afërmit ajo është shprehur se ishte e mërzitur pas telefonatës së fundit të bashkëshortit që punon në Itali.
Nëna e dy fëmijëve ka pohuar se bashkëshorti i ka thënë se gjendja e personave të prekur nga koronavirusi në Itali është shumë e rënduar dhe se nuk dihet a do të kthehej në Shqipëri. Kjo me siguri e ka shqetësuar shumë gruan nga Klosi i Matit.
Sakaq pas kurimit intensiv në Tiranë ajo e ka pasur të pamundur të kthehej drejt Klosit, pasi mjetet e transportit nuk janë lejuar të lëvizin për shkak të gjendjes së pazakontë. Është dashur përsëri ndërhyrja e autoriteteve shëndetësore të Klosit për të realizuar kthimin e pacientes drej vendlindjes, tashmë në gjendje të mirë shëndetësore. /tirananews.al/