Ndeshja hapëse e këtij sezoni, pikërisht ajo mes Skënderbeut dhe Partizanit që përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të korçarëve, u shoqërua me incidente të rënda. Kjo, pasi mungoi policia në stadium dhe pati përplasje mes dy tifozërive, që zbritën deri në fushën e lojës.
Klubi i Partizanit ia ka lënë sërish topin Skënderbeut, duke u kujtuar korçarëve se janë ata organizatorët. “Ne kemi qenë të hapur për bashkëpunim dhe jemi gati të ofrojmë çdo gjë që është brenda mundësive tona, por në fund ama është Skënderbeu përgjegjës për mbarëvajtjen.
Shpresojmë shumë që të mos kemi incidente dhe të jenë marrë masat, por për më tej duhet të veprojë klubi vendës. Ne nuk e dimë deri në këtë moment (dje në mesditë) se sa nga tifozët tanë do të udhëtojnë drejt Korçës.Por gjithsesi jemi besimplotë se ndeshja do të shkojë mirë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunimin tonë për aq sa na takon”, deklaroi dje në konferencën për shtyp të trajnerit, Olsi Ranxhi, përgjegjësi i zyrës për shtyp në klubin e Partizanit.
Kujtojmë se Skënderbeu u dënua me 5 ndeshje pa tifozë dhe 3 milionë lekë të vjetër gjobë pas atyre trazirave, ndërsa Partizani u dënua me 4 ndeshje pa tifozë, edhe pse ishte ekipi mik.