Bashkia e Korçës është e gatshme të ofrojë transportin e ushqimeve apo të ilaçeve për çdo pensionisti të vetmuar i cili sipas urdhërit të qeverisë shqiptare, nuk duhet të dalë nga banesa për të parandaluar marrjen e infeksionit COVID-19.
Kjo është bërë e ditur nga kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo në një komunikim me mediat ditën e sotme.
Ai i ka bërë thirrje të gjithë të afërmëve të moshës së re, që pensionistëve t’iu sigurojnë ushqimin dhe ilaçet në mënyrë që ata të mos dalin nga shtëpitë.
Një thirrje të tillë, Filo e ka bërë edhe për qytetarët pranë të cilëve jetojnë pensionistët, që t’iu mundësojnë furnizimin me ushqime dhe ilaçe.
Bashkia e Korçës, është shprehur Filo se do të jetë e gatshme të ndihmojë për transportin e ushqimeve dhe medikamenteve për të gjithë ata të moshuar që nuk mund ta bëjnë vetë një gjë të tillë.
“Bashkia dhe strukturat e tjera qeveritare, sëbashku me një rrjet vullnetarësh që ne jemi duke ngritur do të jenë të gatshëm të ofrojnë vullnetarisht pjesën e transporit për të plotësuar këto nevojë të pensionistëve me qëllim që lëvizjet e tyre në ambjentet e jashtme të kufizohen sa të jetë e mundur edhe më tepër.
Duke u nisur edhe nga disa pyetje apo informacione që kemi marrë gjatë ditës së djeshme, pas bërjes publik të këtij informacioni, më duhet të sqaroj që nuk bëhet fjalë për blerjen nga ana e bashkisë të këtyre produkteve. Pra Bashkia dhe rrjetet e vullnetarëve në bazë të këtij orjentimi do të marrin përsipër plotësimin e pjesë së transportit por jo blerjen fizike.”
Bashkia e Korçës ka vënë në dispozicion dhe numrin pa pagesë 0800 34 34 ku qytetarët mund të telefonojnë nga ora 8 deri në orën 16 për të këkuar transport për ushqime dhe ilaçe të nevojshme për pensionistët e vetmuar.
Filo ka përsëritur edhe njëherë si mjaft të rëndësishme respektimin e rregullave të higjienës personale dhe evitimin e daljeve të panevojshme.