Për ata që nuk e njohin, Kombinati Mekanik i Poliçanit (ose Uzina e Municioneve, siç u quajt fillimisht), zhvillonte aktivitetin pjesërisht në fushë hapur dhe pjesërisht në tunel. Përbëhej nga Zonat “A”, “B”, “C”, “D”, “E” dhe “F”. Secila zonë kishte disa linja apo reparte. Zona “D” ishte me magazina, ndërsa Zonat “E” dhe “F” ishin poligone. Pamjet i përkasin tuneleve që u ndërtuan në vitet 1972-75 dhe u futën linjat e prodhimit dhe montimit të fishekëve dhe kapsollave (7.62 mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm). Po ashtu dhe aktivitete të tjera. Tunelet janë poshtë rrugës Poliçan – Çorovodë, ndërsa godinat e tjera shtrihen në luginën poshtë rrugës. Në zonat “B” dhe “C” punohej me lëndë plasëse dhe kishte rrezikshmëri të lartë. Objektet janë të vendosur në distanë sigurie nga njeri-tjetri. Në zonën “B” përfundoheshin predhat 60, 82, 107 dhe 120 mm të mortajave, ndërsa te zona “C”, aty ku ishte dhe lënda plasëse me ndjeshmëri më të lartë, prodhoheshin fishekët bazë të predhave (kallam i formuar me disa shtresa letre), ndezësat dhe fishkët e gjuetisë. Reparti mekanik kishte sasi të madhe makinash metalprerëse (25 torno, 17 retifika, 9 freza etj). Aty prodhoheshin stampat, shabllonët, puansonët dhe instrumentat metalprerës. Prodhoheshin punto, meshkuj, matravida, kalizvarë, disqe prerës, e plot të tjera edhe për ekonominë civile. Aty ishte punësuar i gjithë Poliçani, por vinin dhe nga zonat përreth. Niseshin familjarisht në punë, duke zbritur shkallët e formuara në pjerrësinë e kodrës (thuhej sa ishte numri i tyre), ku në një skaj të territorit ishte dhe çerdhja/kopështi i fëmijëve. Nuk lejohej kalimi i punëtorëve nga njera zonë te tjetra. Hyrja e atyre që shkonin për punë në uzinë, bëhej vetëm me miratim me shkrim të zv.ministrit që mbulonte industrinë ushtarake, pavarësisht se kush ishte i interesuari dhe ku punonte.
Kombinati i Poliçanit, fillimisht u projektua për këtë kapacitet prodhues vjetor:
Fishekë të kalibrit 7.62 mm: 21.000.000 copë
Predha mortaje 82 dhe 120 mm: 600.000 copë
Granata dore offensive: 150.000 copë
Granata dore difensive: 150.000 copë
Mina kundërkëmbësorisë: 200.000 copë
Mina kundërtanke: 50.000 copë
Shifrat dhe detajet janë marë nga libri “Industria Ushtarake” i Fatosh Voshtinës
