Djali ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni ka shprehur hapur shqetësimin e tij lidhur me politikat e ndjekura nga kreu i qeverisë, Edi Rama për përballimin e situatës së koronavirusit.
Me anë të një statusi në Facebook, Berisha shkruan se BE-ja nuk do të eksportojë ilaçe dhe pajisje mjekësore jashtë vendeve anëtare dhe se Serbia do t’i blejë nga Kina, ndërsa Shqipëria nuk ka marrë ende një vendim. Berisha shkruan se në momentin që kryeministri Rama do të marrë një vendim në treg nuk do të mbetet më asgjë për të blerë.
“BE ka marrë vendimin për të mos eksportuar ilaçe dhe pajisje mjekësore jashtë vendeve të unionit pasi u duhen për shtetasit e tyre. Presidenti serb tejet i zhgënjyer nga kjo masë bëri të qartë përmes një konferencë për shtyp se zgjidhja e vetme për Serbinë kishte mbetur Kina. Pa asnjë paragjykim për qëndrimin apo zgjedhjen e tij, natyrshëm lind pyetja, nëse Serbia nuk ka ku blen pajisje mjekësore dhe ilaçe, ku do t’i blejë ato Shqipëria? Nëse BE nuk ka mjaftueshëm për shtetasit e saj, ku do i gjejnë këto pajisje shteti dhe kompanitë shqiptare. Kam frikë se kur Rama të lodhet duke na përqafuar e kërcënuar nga larg, në tregun ndërkombëtar nuk do kenë mbetur më as ushqime e letra higjienike, jo me ilaçe dhe pajisje mjekësore,”-shkruan Berisha.
