Cila është mënyra e duhur e sjelljes ndaj koronavirusit? Cila është doza e pranueshme e panikut? Po e masave që duhen marrë? Po një qasje ndaj normalitetit si mund të jetë?
Kjo situatë krejt e re që krijoi ky virus i ri dhe i panjohur për botën, ka shkaktuar dhe një sjellje krejt të re në rrafsh botëror ku nuk e ekzagjerojmë po ta quajmë edhe situatë romaneske. Virusi po përhapet në vende të ndryshme me shpejtësi të ndryshme, duke prodhuar përgjigje tepër të ndryshueshme ndaj kësaj pandemie.
Për natyrë, njeriu është zhvilluar duke u përshtatur jo vetëm mjedisit dhe klimës por më së shumti duke mësuar nga ajo që sheh përreth. Pra kur hasemi me vështirësi, është në natyrën tonë të shohim dhe mësojmë nga ajo se si të tjerët po përballen me këtë vështirësi. Shumica e sjelljes njerëzore ndikohet nga ajo që ne besojmë për sjelljen e të tjerëve përreth nesh. Në këtë mendësi njerëzimi mësoi të ngrohej e të gatuajë, mësoi të dalë për gjah e të peshkojë etj. Po çfarë ndodh në kushtet e një sfide kaq të re dhe të papritur ku asnjëri nuk mund të thotë se cila është qasja e duhur ndaj problemit? Si ta dimë se kush duhet ‘kopjuar’? Në kushtet e pandemisë së koronavirusit si të zgjedhim se kush duhet besuar apo se si duhet të sillemi?
Gjatë këtyre 10 ditëve të fundit kemi dëgjuar dhe parë situata dhe udhëzime zyrtare apo jo, që jo vetëm ndryshojnë nga dita në ditë, por shpesh janë bërë burim edhe i sjelljeve dhe interpretimeve gati groteske nga popullata. Një rang i stërmadh reagimesh dhe bindjesh ndaj Koronavrusit: njerëz që u vetë-izoluan sepse bashkëshorti i një kolegeje kishte qënë në kontakt me një person që mund të jetë ekspozuar; njerëz që shkojnë-e-vinë në punë pa asnjë masë mbrojtëse; grupe të tëra njerëzish që shëtisin të lirë në parqe të mbipopulluara edhe pse mes tyre ka plot njerëz që teshtijnë e kolliten të pashqetësuar nga ajo që po ndodh në mbarë globin. Jo të pakët ishin dhe njerëzit që nxituan të bëjnë furnizime ushqimore apo domosdoshmëri për shtëpitë e tyre, ndërkohë që për pak limoni dhe portokalli gati u kuotuan në bursë nga rritja abuzive e çmimeve që pësuan brënda 48 orëve. Për të mos folur pastaj për kalorësit e çdo qyeti të cilët përçmojnë haptazi këtë grip të mbivlersuar duke besuar fort se ato nuk do të preken nga ky virus vetëm sepse kanë lindur në X apo Y qytet të vendit tonë.
Të dish si t’i përgjigjesh kësaj situate, në mungesë të një konsensusi të qartë shoqëror apo normave të mirëpërcaktuara që udhëheqin sjelljen shoqërore në të tilla kushte, veçanërisht me shpejtësinë me të cilën ato po ndryshojnë këta ditë, mund të jetë mjaft e vështirë. Por specialistë të sjelljes shoqërore bien dakord mbi disa piketa bazë ku secili nga ne mund të projektojë sjelljen individuale dhe të vendosë se si të përgjigjet ndaj Koronavirusit:
- Përgjithësisht njerëzit nuk janë të gjithë të zotë të bëjnë përllogaritje kumulative të numrave
Në kushtet e rrijtes së rasteve të konfirmuara me Koronavirus, të cilat akumulohen çdo ditë në rrafsh kombëtar, rajonal apo botëror bëhet përherë e më e vështirë për njerëzit që të kuptojnë përmasat e kësaj pandemie dhe të projektojnë veten në të. Projeksione të tilla matematikore konfuzojnë dhe më të shkolluarit ndër ne. Është njëlloj si me ushtrimin e fizikës, ku studentëve u kërkohet të përllogarisin mbushjen e një vaske me ujë ku fuqia mbushëse është 2 herë më e lartë se ajo shkarkuese, dhe rëndom studentët bëjnë të njëjtin gabim duke besuar se vaska nuk do mbushet kurrë e aq më pak të derdhet. Një gabim logjik që lë pas dore efektin e akumulimit, duke udhëhequr përherë në rezultate të gabuara. Thënë kjo në terma social dhe në kushtet e pandemisë, njerëzit po priren të nënvlersojnë shpejtësisë e akumulimit të rasteve përreth tyre. Shto këtu faktin se ne dimë dhe përllogarisim vetëm rastet e konfirmuara dhe jo numrin e vërtetë ( p.sh. të patestuar, asimptomatik apo pre-simptomatik) të rasteve, gjë e cila çon në kushte të nënvlersimit serioz të përhapjes së virusit. - Ne e keqpërceptojmë rrezikun në varësi se si ai na komunikohet
Gjuha si mjet komunikimi ka ndikimin kryesor se si njerëzit bëjnë kontaktin e parë me informacionin dhe krijojnë përceptimin fillestar dhe qasjen ndaj situatës. Një numër i madh studimesh psiko-sociale ka dëshmuar se në përceptimin e gjasave të një ndodhie ndikon mënyra se si kjo u prezantohet njerëzve. Kësisoj prezantimi i gjasave të një rreziku në terma frekuece (p.sh. 1 në 10) arrin të përthithet më lehtësisht nga logjika njerëzore sesa në terma proporcional (p.sh. 10%), Thënë më konkretisht, nëse njerëzve u shpjegohen gjasat e një rreziku me frekuencën që mund të ndodhë, ata priren ta perceptojnë më lehtësisht ndjesinë e rrezikut. Kjo nënkupton se gjuha e përdorur nga funksionarët e sektorit të shendetësisë luan një rol kyç në komunikimi e mesazheve për pandeminë si dhe ngritjen e ndërgjegjes publike. - Njerëzit priren të jenë optimist kur bëhet fjalë për të parashikuar të ardhmen
Një përgjigje e shpejtë dhe efektive ndaj Koronavirusit kërkon së pari një parashikim të saktë të seriozitetit të situatës. Qeveritë e vendeve ku covid-19 nuk është përhapur akoma në shkallë të lartë duhet të reagojnë shpejt për të përmbajtur virusin dhe parandaluar ritmin e shpërndarjes së tij. Në mënyrë të ngjashme edhe ne, në planin personal duhet të marrim vendime afat-mesme apo ndoshta dhe afat-gjata jo vetëm për t’u vetëizolar por edhe për të rikonceptuar të ardhmen tonë. Por në mënyrë që ne të marrim këta vendime duhet të dimë në mënyrë të qartë se sa keq janë apo do të jenë gjërat nesër, javës tjetër apo muajin tjetër. Problemi është se, ne si qënie jemi shumë të prirur ndaj optimizmit kur bëhet fjalë në parashikimin e gjasave të një rreziku në të ardhmen. Ne kemi mjaftueshëm statistika për frekuencën e aksidenteve me makina, të divorceve, të llojeve të ndryshme të sëmundjeve, por sërisht kur na duhet të parashikojmë gjasat e një ndodhie të tillë në rrafshin personal, ne priremi të zgjedhim dhe mbivlersojmë skenaret pozitive. Është pikërisht kjo prirje e qënies njerëzore që duhet mbajtur në mend kur të na duhet të vendosim se sa të rrepta do të jenë masat dhe përgjigjia jonë ndaj asaj që pritet të vijë. - Është e vështirë të vlerësosh sot, sa do të vlejnë gjërat në të ardhmen.
‘’Zbritje e përkohshme’’ është një term ekonomik që përdoret për të përshkruar një fenomen psiko-social ku njerëzit janë të pazot të parashikojnë se sa do të vlerësojnë rezultate të korrura në të ardhmen dhe jo menjëherë në të tashmen. Praktikisht termi përshkruan kushtet në të cilat njeriu preferon të marrë sot 50 euro në vend të 500 që mund të marrë pas 3 vitesh. Të njëjtën gjë po e shohim të ndodhë dhe sot me Koronavirus. Në përgjigje të kësaj, një ndër shkrimet dhe postimet që u bë virale në rrjet nga një ndër inxhinierët më të kuotuar të Silicone Valley, Tomas Pueyo që siç kuptohet nga titulli ‘’Ne duhet të veprojmë tani’’ imponon marrje të menjëhershme të masave në çdo nivel. ‘Këta masa kërkojnë mbylljen e kompanive, dyqaneve, shkollave, tranzitit në masë…sa më rëndë situata juaj aq më i rëndë distancimi social. Sa më heret që ju të përcaktoni masa të rrepta, aq më pak do të jnei të detyruar t’i mbani ato’’. Por një përgjigje e kësaj natyre ndaj virusit kërkon të marrësh vendimin për të paguar një kosto sociale dhe ekonomike tani, me qëllim që ti garantojmë vetes një të ardhme më të shëndetshme, dhe kjo është diçka tejet e vështirë për t’u bërë referuar natyrës së fortë njerëzore për të nënvlersuar shpërblimet e të ardhmes, veçanërisht nëse kostot duhen paguar tani. Inxh. Pueyo e mbyll mesazhin e tij duke thënë se ‘’një qasje mund të jetë edhe shtimi gradual i masave, por fatkeqsisht kjo i jep kohë të çmuar edhe virusit që të përhapet. Nëse doni të jeni të sigurtë, bëjeni siç e bëri Ëuhan. Njerëzit mund të ankohen tani, por ata do iu falenderojnë më vonë’’.
Të kuptosh dhe të dish si të sillesh në kushtet e një krize globale që zhvillohet në drejtime të ndryshme nga dita në ditë, është natyrisht shumë e vështirë. Në morinë e informacionit që hasim dhe do të hasim në ditët në vazhdim, diçka duhet të kemi të gjithë parasysh kur të ngrihemi për të marrë vendime- ato nuk na ndikojnë vetëm ne, por edhe njerëzit përreth nesh. Ditën që do të vendosim të thyejmë karantinën dhe dalim ‘pak përballë rrugës’ apo ‘të blejmë bukë për një javë’ apo ‘alkool për një muaj që t’ia kalojmë komshiut’’ le të përpiqemi të mbajmë në mend se ne jemi të gjithë të ndërvarur mes vetes. Me veprimet tona ne dëmtojmë ose ndihmojmë njerëzit përreth nesh; the sa më shumë të përpiqemi të ndihmojmë njerëzit përreth nëpërmjet vetëizolimit, mbajtjes së higjinës dhe rritjes së ndërgjegjes për kushtet në të cilat ndodhemi, aq më e mirë do të jetë e ardhmja për të gjithë ne.
Nga Nersada Mandija- sociologe
