Presidenti Ilir Meta ka thënë sot në mbremje se shumë shpejt në Shqipëri do ketë dhjetëra mijëra tamponë që mund të përdoren për testimin në masë. I ftuar sot në emisionin “Real Story”, Meta është shprehur se situat ame COVID-19 mund të menaxhohet.
Meta u shpreh se dy gjërat më të rëndësishme tani për tani është mbrojtja e mjekëve dhe personelit që është në vijën e parë, si dhe testimi i të gjithë personave që japin simptoma apo që kanë qenë në kontakte me personat që kanë rezultuar pozitivë.
“Më e rëndësishmja dhe sfida që kemi tani është të mbrojmë mjekët dhe personelin shëndetësor, që janë në vijën e parë të kësaj beteje. Ne jemi në një situatë shumë më të favorshme në aspektin e menaxhimit. Sot morëm sigurimet se masat për mbrojtjen e personelit të vijës së parë janë marrë dhe po mbërrijnë të gjitha. Shqipëria do ti ketë të gjithë mundësitë e tamponimit. Por dy gjërat më të rëndëshime tani janë: Mbrojtja e mjekëve dhe personelit që është në vijën e parë Testimi i të gjithë personave që japin simptoma apo që kanë qenë në kontakte me personat që kanë rezultuar pozitivë. Tamponet ekziztojnë dhe janë marë masat për të pasur dhjetëra, mijëra tamponë në një të ardhme të afërt”, u shpreh Meta.
Harta e të prekurve në Shqipëri është zgjeruar, ku epiqendra e COVID-19 është Tirana, e pas saj vjen Fieri e Korça. Ndërkohë që janë 146 të infektuar, 17 prej të cilëve janë shëruar dhe 5 viktima. Lezha, Shkodra, Vlora, Kavaja e Elbasani janë qytetet e tjera të prekurve. Gjendja e e të shtruarve në pavion është e stabilizuar deri më tani, ndërkohë që autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të qëndrojnë brenda.