Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha sot se bota po vononte në luftën e saj të koordinuar kundër koronavirusit, ndërkohë që nisi një plan për të adresuar ndikimet socio-ekonomike të pandemisë.
“Ne jemi akoma shumë larg të luftuarit në mënyrë efikase pandeminë COVID-19 në të gjithë botën dhe trajtimit të ndikimeve negative në ekonominë dhe shoqëritë globale”, tha Guterres në një konference virtuale për shtyp.
Ai tha se të gjitha vendet duhet të ndiqnin udhëzimet e OBSH-së për të shtypur virusin, duke theksuar se ekziston një prirje “secili sipas kokës së vet”.
Ai tha se burimet në dispozicion të vendeve të varfra duhet të rriten duke zgjeruar kapacitetin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe se duhet të ketë një përqëndrim te më të prekurit, përfshirë gratë dhe njerëzit në vendet e shkatërruara nga lufta.