I konsideruari “Babai i kriminologjisë”, profesori shqiptar Ismet Elezi ka festuar ditëlindjen e 100.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka përcjellë një urim mjaft të ndjerë për mendimtarin dhe profesorin e së drejtës penale.
Përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook, ndër të tjera Gjonaj shkruan:
“Një urim i përzemërt në 100 vjetorin e “Babait të kriminologjisë”, mendimtarin dhe profesorin e së drejtës penale, “Njeriun ndërkombëtar të shkencës”, të nderuarin profesor Ismet Elezi.
Sot profesori i shumë brezave të juristëve, feston ditëlindjen e tij të 100, një numër shumë i vogël vitesh ky në raport me të gjithë trashëgiminë e jashtëzakonshme që ka lënë dhe vijon t’i lerë Shqipërisë pas çdo dite.
Dhjetëra dekada pranë sistemit të drejtësisë duke ofruar pa lodhje dijen e tij të çmueshme e cila ka lënë gjurmë të vyera për t’u ndjekur nga e sotmja dhe e nesërmja.
Mirënjohje dhe falënderime për të gjithë kontributin historik që ka ofruar, duke përfshirë për herë të parë si pjesë të kurrikulave akademike leksionet e kriminologjisë në Fakultetin e Drejtësisë.
Mirënjohje dhe falënderime për kontributin e Tij me qindra publikime, mijëra orë leksionesh për edukimin e brezit të ri, dhjetëra libra dhe pafundësi mendimesh të mençura duke mbetur si dera kyçe ku të gjithë kanë trokitur për të mësuar diçka.
Mirënjohje dhe falënderime për trashëgiminë 20 vjeçare që ka lënë në krye të Byrosë juridike në Këshillin e Ministrave për përgatitjen e legjislacionit shqiptar.
Me mirënjohje falënderime të veçanta dua t’i uroj edhe shumë vite të tjera, pranë të gjithë të dashurve të zemrës.
Urime Profesor, përulje për gjithë trashëgiminë e vyer që na keni lënë!”, nënvizon Gjonaj.
