Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sërish në lidhje me situatën e krijuar në Kapshticë, ku disa emigrantë prej 4 ditësh nuk lejohen të futen në Shqipëri. Basha në një reagim e quan çnjerëzore lënien e tyre në mëshirë të fatit dhe një braktisje mizore që përbën një krim të rnëdë.
Më tej kreu i PD i bën thirrje qeverisë që të lejojë kalimin e emigrantëve dhe të merren masa për për transportimin dhe strehimin e tyre.
Është e pafalshme dhe çnjerëzore që prej 4 ditësh dhjetëra nga bashkëqytetarët tanë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjëanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë, dhe që një prokurori me një fije integritet nuk mund të mos e hetojë.
I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre. Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit. Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre. Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale.
