Analiza e shifrave tregon se punësimi në Shqipëri ka qenë në përkeqësim të vazhdueshëm. Punësimi në tregun shqiptar me kalimin e viteve është bërë një çështje gjithnjë e më problematike. Shifrat japin një sinjal të fortë për nevojën e orientimit të politikave drejt tregut të punës, me qëllim rritjen e përputhshmërisë ndërmjet kërkesës dhe ofertës për punë.
Nisur nga fondet e investimeve publike në harkun kohor 2011 deri 2016, llogaritja tregon se ndikimi ne zgjerimin e tregut te punës qe mundet te jepnin këto investime nuk mundet të jetë më shumë se 94 mijë vende pune.
Nëse krahasohet viti 2016 me atë 1991, shkalla e punësimi ka rënë nga 56.4% në 42.1% , thënë ndryshe, ka rënë me mbi 25 pikë përqindje, ndonëse nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shkallën e papunësisë.
Shqipëria është në një fazë vendimtare të reflektimit mbi gjendjen aktuale të tregut të punës duke patur potencial me një kapital njerëzor të vlefshëm, por të vështirë për tu integruar në tregun e punës. Një pjesë e konsiderueshme e punëkërkuesve u përkasin moshave të reja. Por analiza e shifrave tregon se punësimi në Shqipëri ka qenë në përkeqësim të vazhdueshëm.
Janë vetë statistikat zyrtare që pas shkëlqimit të tyre shpesh propagandistic fshehin një realitet aspak të këndshëm. Dhe atë që në pamje të parë nuk mund ta perceprojmë nga statistikat e ka ndjerë vetë fuqia punëtore. Kërkesa e lartë sidomos e 5 viteve të fundit për të ikur nga vendi, edhe pse e nbdikuar nga shumë faktorë nxitës, në fund të fundit përkthehet në pamundësinë për të gjetur një punë të kënaqshme. Është e qartë se vetëm reagimi në këtë drejtim do ti mbyllte shtigjet e emigracinit.
Mundësitë
Nëse shikojmë vendet e reja të punës duke i krahasuar me realitetin e investimeve kapitale në vend (vendase dhe të huaja), situata duhet të rezultojë me disa dhjetëra mijë vende pune të reja. Sipas llogaritjeve të krijimit të vendeve të punës nga vlera investuese, mesatarisht për çdo 1 miliard lekë investime arrijnë të krijohen deri 170 vende pune direkte.
Nisur nga fondet e investimeve publike në harkun kohor 2011 deri 2016, me një vlerë absolute prej 2.73 miliard Euro (ku gjysma i përket qeverise se djathte dhe gjysma i përket qeverise se majte), si dhe afër 4.85 miliard Euro investime të huaja, atëherë llogaritja tregon se ndikimi ne zgjerimin e tregut te punës qe mundet te jepnin këto investime nuk mundet të jetë më shumë se 94 mijë vende pune.
A mundet ekonomia shqiptare të gjenerojë punësim masiv? Pritshmëria nuk mund të shikohet vetëm dhe thjesht te investimet me fonde publike dhe investimet e huaja. Gjenerimi i punësimit masiv mundet të krijohet duke rritur nxitjet për bizneset e vogla apo vetëpunësimet në një garë për të diversifikuar burimet për krijimin e vlerës së shtuar. Motorri i punësimit në vende të ndryshme të zhvilluara mbetet gjithnjë komuniteti i të vetëpunësuarve.
Analiza e shifrave
Banka Botërore në vitin 2017, bazuar në të dhënbat e saj për Shqipërinë ka bërë një analizë të shkallës së punësimit dhe papunësisë për vitet 1991, 2000, 2010 dhe 2016. Sipas kësaj analize rezulton të ketë patur një rënie të vazhdueshme dhe të ndjeshme të shkallës së punësimit gjatë viteve të marra në shqyrtim. Nëse krahasohet viti 2016 me atë 1991, shkalla e punësimi ka rënë nga 56.4% në 42.1%, thënë ndryshe, ka rënë me mbi 25 pikë përqindje.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shkallën e papunësisë, e cila ka pësuar një trend rritës përgjatë këtyre viteve. Nga viti 2000 në 2010 vihet re një rritje e kësaj shkalle me vetëm 0.7 pikë përqindje. Rritja e shkallës së papunësisë ka qenë e ndjeshme nëse bëhet krahasimi i këtij treguesi për vitin 2016 me atë të vitit 1991, rritje kjo e barabartë me 23.5 pikë përqind.
Pra, këto të dhëna tregojnë se shkalla e personave që kërkojnë punë në mënyre aktive, por nuk mund ta gjejnë një të tillë, është rritur me 23.5 herë gjatë këtij çerek shekulli. Rënia e shkallës së punësimit dhe rritja e shkallës së papunësisë nga viti 1991 e deri në 2016 tregojnë që punësimi në tregun shqiptar është bërë një çështje më problematike me kalimin e viteve, duke dhënë kështu një sinjal të fortë për nevojën e orientimit të politikave drejt tregut të punës, me qëllim rritjen e përputhshmërisë ndërmjet kërkesës dje ofertës për punë.
Ndryshimet graduale
Referuar të dhënave të anketës së forvave të punës që publikon INSTAT shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës ndjek një trend pothuajse konstant përgjatë viteve 2007 – 2017. Në vitin 2007, pjesëmarrja ishte rreth 58% e individëve të aftë për punë, duke arritur nivelin maksimal në vitin 2011, me rreth 60%, për të zbritur më pas në 57% në vitin 2017. Shkalla e papunësisë ka ruajtur një trend pothuajse konstant përgjatë viteve 2007 – 2012, në intervalin e 13% – 14% dhe më pas ka filluar të rritet, duke arritur maksimumin në vitin 2014 me 17.5% për të filluar përsëri një trend ulës dhe në vitin 2018 ka arritur në nivelin e 12%.
Por analiza e shifrave zbulon edhe lojën me to. Sipas raportit “Tregu i punës, 2016″ të INSTAT, një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare rezulton ekonomikisht jo-aktive, ku vetëm për vitin 2016 ajo llogaritet në 33.8% për grupmoshën 15-64 vjeç, nga të cilët, 37.2% dominohen nga nxënës/studentë. 10.7% e kësaj grupmoshe për 2016 nuk kërkojnë punë pasi mendojnë se nuk ka punë të disponueshme për ta. Pesha e personave ekonomikisht jo-aktivë për shkak të dekurajimit të të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç për vitin 2017 llogaritet në 13%.
Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në vitet 2000-2016 ka pësuar rënie të vazhdueshme deri në 2008, ndërsa pas këtij viti ky numër ka tentuar të qëndrojë në të njëjtat vlera, me përjashtim të dy viteve të fundit, ku vihet re një rritje dhe më pas një rënie e ndjeshme. Nga ana tjetër, duket se numri i punëkërkuesve të papunë afatgjatë ka rënë ndjeshëm me kalimin e viteve, veçanërisht pas vitit 2007, duke thelluar diferencën ndërmjet punëkërkuesve të regjistruar dhe atyre afatgjatë. Kjo mund të përkthehet në një treg më eficient, ku kërkesa dhe oferta për punë takohen më shpejt, duke pakësuar kohën e kalimit nga njëra punë në tjetrën.
Dobësitë e statistikave
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, numri i të punësuarve në vitin 2000 (1 milion e 68 mijë të punësuar gjithsej) me vitin 2016 (1 milion e 43 mijë të punësuar gjithsej) është pakësuar në tregun e punës me 25 mijë punëmarrës. Ndërkohë në vitin 2001 e deri në 2015 tregu i punës ka qëndruar në të njëjtat nivele nga 902 mijë deri 973 mijë punonjës gjithsej. Në vitin 2008 numri i punonjësve është më i ulëti në gjithë këto 18 vitet e fundit, me një numër prej 902 mijë punonjës gjithsej.
Në vitin 2000 numri i punëkërkuesve është 215 mijë.Ndërkohë, ajo që është e paqartë dhe kontradiktore në lidhje me numrin e tregut të punës është ulja e numrit të punëkërkuesve. Në këtë vit (2008) ky numër është më i ulëti (140 mijë) në harkun kohor të 18 viteve të fundit, përveç vitit 2016, kur numri i punëkërkuesve është 120 mijë. Kontradikta midis uljes së numrit të punësuarve, si dhe ulja e numrit të punëkërkuesve, në kushtet kur nuk ka punësim masiv jashtë vendit tregon se edhe vetë statistikat tregojnë për një ekonomi pa stabilitet dhe me një treg të dobët të punës./ SCAN Magazine