“Fjala më e shkurtër e jetës sime, unë i nënshkruari Edi Rama në funksionin e kryeministrit dhe të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme i delegoj, zotit Gent Cakaj, zv.ministër Për Europën e Punët e Jashtme, detyrën si ministër për Europën e Punët e Jashtme dhe përfaqësimit të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme brenda dhe jashtë shtetit”.
Kështu do të deklaronte kryeministri Edi Rama në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së ministrit të Jashtëm më 23 janar. Kanë kaluar disa ditë, por vendimi i kryeministrit nuk është botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas ligjit, vendimi për delegimin e kompetencave duhet të botohet në Fletoren Zyrtare, duke përcaktuar edhe afatet e ushtrimit të kësaj detyre, për të marrë kështu edhe fuqi ligjore. Kjo nënkupton se kryeministri duhet të përcaktojë edhe datën si afat final të ushtrimit të detyrës nga ana zv.ministrit Cakaj si ministër i Jashtëm në arenën ndërkombëtare, raporton Gazeta Si.
Kodi i Procedurës Administrative parashikon delegimin e kompetencave. Një praktikë e tillë bëhet pothuajse nga të gjithë drejtuesit e institucioneve, ministra apo zyrtarë të tjerë, të cilët për një periudhe kohe ia kalojnë kompetencat vartësve të tyre. Ky vendim duhet të përmbajë si rregull edhe afatet e ushtrimit të detyrës që i delegohet. Neni 28 i këtij Kodi përcakton se “Përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe, organi që delegon një kompetencë nuk mund të autorizojë organin e deleguar apo të nëndeleguar, që ky i fundit t’ia nëndelegojë këtë kompetencë një organi tjetër. Ndërsa neni 29 parashikon se “Në rastet e delegimit, organi delegues përcakton kompetencat të cilat janë deleguar ose tregon se çfarë aktesh mund të nxjerrin apo të zbatojnë organet e deleguara. Delegimi i kompetencave botohet në Fletoren Zyrtare. Ndërsa në rastet e administratës vendore delegimi botohet në gazetën e pushtetit vendor dhe kur nuk ekziston një e tillë, njoftimi përkatës afishohet në vende publike”.
Ndërkaq po në këtë ligj, në nenin 34 parashikohet se “në rastet e mungesave, të pamundësisë apo të paaftësisë fizike për të vepruar ose për shkak të ndonjë pengese ligjore që haset një organ administrativ individual, kryerja e detyrave bëhet nga organi ose personi zëvendësues i përcaktuar me ligj”. Në pikën dy të po këtij neni theksohet se kur ligji nuk shprehet, zëvendësimi në kryerjen e detyrave do të bëhet nga punonjësi më i vjetër i organit, që vjen direkt pas tij në shkallën e hierarkisë. Në ushtrimin e funksioneve të zëvendësuesit futen edhe kompetencat e deleguara të të zëvendësuar.
Kryeministri Edi Rama i propozoi presidentit Ilir Meta, emrin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Ky propozim hasi në kundërshtimin nga kreu i shtetit i cili refuzoi të dekretonte Cakajn si ministër të Jashtëm.