Klubet shqiptare do të jenë të detyruar të negociojnë gjithsesi kontratat që kanë me futbollistët e tyre, pasi përndryshe mund ta shohin veten pa lojtarë në dispozicon kur të kthehet kampionati shqiptar për të mbyllur sezonin, gjithmonë nëse rifillon. FIFA ka bërë të ditur se mendon zgjatjen e kontratave deri në mbyllje të sezonit, por shefi ligjor i saj, Emilio Garcia Silvero, personi i cili ndërtoi dhe ndoqi hap pas hapi dosjen e Skënderbeut, bëri të qartë se nuk mund të detyrojë ligjërisht lojtarët që të qëndrojnë me klubet përkatëse edhe pas mbylljes së kontratave.
“FIFA nuk mund të zgjatë kontratat më larg se 30 qershori, por dritaret e merkatos nuk do të jenë të njëjtat dhe lojtarët nuk do të mund të regjistrohen me klube të reja, merkato nuk hapet me 1 korrik”, saktësoi ai mënyrën se si FIFA do të vepronte këtë vit. Ai shpjegoi se kjo vlente edhe sa i përket huazimeve. “Nëse huazimi mbaron me 30 qershor, lojtari teorikisht duhet të kthehet në klubin e tij, por dritarja e merkatos do të jetë e mbyllur dhe nuk do të llogaritet kalimi e si I regjistruar”, shpjegoi spanjolli.
Me pak fjalë, klubet duhet të negociojnë që lojtarët të vazhdojnë të qëndrojnë pjesë e tyre edhe pas datës së mbarimit të kontratës dhe për Superioren ky është një lajm i keq. Siç kemi shpjeguar në VIP Sport, pjesa më e madhe e klubeve të Superiores kanë kontrata me lojtarët deri në 31 maj, për të evituar edhe pagesën e qershorit dhe brenda kësaj date, do të jetë e pamundur që të shohim skuadra në fushë sipas projeksioneve të vetë FSHF-së.
Cilido prej lojtarëve do të jetë i lirë që të largohet në mbyllje të kësaj kontrate dhe FIFA nuk mund të bëjë asgjë për ta ndalur veçse t’i pengojë regjistrimin në një klub apo një kampionat tjetër pa u mbyllur zyrtarisht sezoni në vendin tonë. Në këtë mënyrë, brenda javëve në vijim klubet duhet të sigurohen që të gjithë lojtarët e tyre të jenë dakord me qëndrimin këtu përtej majit apo qershorit, pasi përndryshe në rifillimin e kampionatit duhet të kenë siguruar lojtarët nga akademia për t’i zëvendësuar duke ndryshuar plotësisht dinamikën e vijimësisë së sezonit
