Presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA nuk do të financojë më Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Më herët ai kishte akuzuar OBSH-në për “keqmenaxhim të rëndë dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit” dhe tha që SHBA do të ndalte fondet në pritje të një rishikimi të situatës.
Ndaj këtij vendimi të presidentit amerikan ka reaguar dhe shefi i OKB-së, Antonio Guterres. “Tani është koha për unitet dhe bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku në solidaritet për të ndaluar këtë virus dhe pasojat e tij shkatërruese,” tha ai.
Por kush e financon OBSH-në?
Ajo përbëhet nga 194 shtete dhe dy shtete të asociuara dhe ka donacione të jashtme. “Pagesa e anëtarësimit” e njohur dhe si “kontributet e vlerësuara” llogaritet në lidhje me pasurinë dhe popullsinë.
Për vitin 2020/21 tarifa e anëtarësimit të Afganistanit ishte 33.500 dollarë apo 0.007 % e totalit të tarifës së anëtarësimit. SHBA jep 116 milionë dollarë apo 22 % të totalit të tarifës së anëtarësimit. Sidoqoftë, “kontributet e vlerësuara” përbëjnë më pak se një të katërtën e financimit të OBSH-së, dhe pjesa tjetër përbëhet nga donacione vullnetare, nga vende dhe grupe të tjera që përbëjnë pjesën tjetër.
