Eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi në një intervistë të gjatë për EWB ka folur mbi metodologjinë e re të zgjerimit dhe si do të procedohet tashmë pasi është dhënë drita jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai thotë se metodologjia e re e ka vendosur procesin e zgjerimit në rrugën e duhur, ku kryefjala është besueshmëria e vetë shteteve të Ballkanit Perëndimor por dhe e shteteve anëtare të BE-së.
Lidhur me pyetjen se kur do të hartohet korniza e bisedimeve për këto dy vende ai tha se pritet të fillojë sa më shpejt në këshill pasi përgatitja për të ka nisur. Megjithatë Varhelyi thotë se nuk ka një datë specifike se kur do të nisin konferencat e para ndërqeveritare.
“Në këtë fazë, nuk ka një datë specifike për Konferencat e para Ndërqeveritare. Si një hap tjetër, Komisioni do të paraqesë Kuadrat Negociues, bazuar në metodologjinë e rishikuar. Pastaj Kornizat duhet të diskutohen dhe të bien dakord në Këshill – IGC-të e para do të thirren nga Kryesia e rradhës e Këshillit sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të tyre”, thotë Varhelyi në këtë intervistë.
Ai përjashtoi mundësinë që paketa e zgjerimit e këtij viti të shtyhet për shkak të koronavirusit, pasi dhe pse ka ndikim të madh edhe në institucionet e BE-së, detyrat kryesore të tyre vazhdojnë “dhe unë pres që paketa të paraqitet në qershor”, thotë ai.
Por a do të përfshijnë raportet vjetore të Komisionit këtë vit vlerësimin e proporcionalitetit të masave të jashtëzakonshme të marra nga vendet kandidate për të luftuar koronavirusin, Varhelyi jep këtë përgjigje: “Pakoja Vjetore e Zgjerimit është ende duke u përgatitur dhe ne po shohim se si do të pasqyrohet kriza në vazhdim në raporte, veçanërisht në pjesën ekonomike, por edhe gjetkë. Unë pres që raportet të jenë me këmbë në tokë, duke matur përparimin e arritur në mënyrë faktike, qoftë kur bëhet fjalë për kriteret demokratike dhe ekonomike ose ligjin e BE-së”.
