Kryeministri Edi Rama ka publikuar pak minuta më parë grafikun e kurbës së koronavirusit në Shqipëri, krahasur me SHBA-të, Spanjën, Belgjikën e Italinë, përsa i përket vdekjeve për 1 milionë banorë.
Rama thotë se shifrat tregojnë se sa vendimtare ka qenë respektimi masivisht i masave në Shqipëri. Duke iu referuar ekspertëve, Rama bën thirrje për të qenë vigjilentë, duke deklaruar se edhe hapja do të jetë me shkallë, në varësi të kurbës.
“Ekonomia bie e ngrihet prapë, të vdekurit nuk ngjallen më”, shkruan ndër të tjera kryeministri.
Postimi i plotë i kryeministrit
VDEKJET PËR 1 MILIONË BANORË tregojnë qartë se sa vendimtare kanë qenë shpejtësia, rreptësia dhe respektimi masivisht i masave në Shqipëri
Të gjithë ekspertët kudo në botë, bëjnë thirrje për të mos e ulur vigjilencën dhe asnjë qeveri në botë, nuk ka një plan hapjeje pa shkallë, në varësi të kurbës!
Ne do të vazhdojmë të zbatojmë planin tonë dhe ta adaptojmë atë sipas dinamikës së zhvillimeve në frontin e luftës për mbrojtjen e jetës. Ekonomia bie e ngrihet prapë, të vdekurit nuk ngjallen më, prandaj të gjithë duhet ta kenë të qartë që ne nuk do të tërhiqemi nën asnjë presion të padijes, mendjelehtësisë e vulgaritetit, të atyre që nuk duan të kuptojnë thelbin e kësaj situate dhe flasin për diktaturë e për lloj – lloj fantazish jashtë këtij realiteti!

