Partia Demokratike ka denoncuar një tender “sekret” të qeverisë që sipas saj qeveria bleu materialet mbrojtese shëndetësore me dyfishin e çmimit të tregut.
Sipas Albana Vokshit, qeveria e ka klasifikuar sekret tenderin prej 3.5 milionë dollarë.
“Ky është vendimi i qeverisë që e klasifikon sekret tenderin urgjent të 21 marsit për blerjen e pajisjeve mbrojtëse spitalore. Me këtë vendim, Edi Rama mban të fshehur çmimet e ketyre blerjeve skandaloze. Por ne i kemi zbuluar ato dhe sot do t’ia bëjmë të njohur qytetarëve shqiptarëve atë që qeveria fsheh me tënderin 3.5 milionë dollarë.
Pse themi që ka një abuzim skandaloz që fare mirë mund të quhet edhe vjedhje në kohë pandemie?! Sepse janë blerë maska dhe pajisje të tjera spitalire me dyfishimin e çmimit në disa raste edhe me trefishin e çmimit të zhdoganuar.”, tha Vokshi.
Ndërsa ish deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se një maskë që në farmaci e merr për 4 mijë lekë të vjetra, qeveria e ka blerë me çmimin 8 mijë lekë të vjetra.
“Sa lekë e ka blerë Qeveria shqiptare këtë maskë 4 mijëlekëshe? Plot, dyfishin e cmimit, me 8 mijë lekë të vjetra. Pra me pakicë blihet 4 mijë lekë, ndërsa më shumicë Qeveria e blen nga kompanitë “FARMA NET dhe EUROMED” me 8 mijë lekë të vjetra.
Ky është krim! Dhe kur krimin përpiqesh ta fshehësh me kontrata sekrete, me mungesë transparence, krimi bëhet edhe më i rëndë, sepse provon që është bërë me vetëdije për të vjedhur.
Të pranosh të blesh 8 mije lekë një maskë që me pakicë në Farmaci shitet 4 mijë lekë do të thotë vjedhje në mes të ditës”, tha ai.
