Aktori me famë botërore Johnny Depp nuk ka pasur kurrë Instagram, por mesa duket karantina e ka bërë të mendohet mirë, duke krijuar një profil të tillë.
Aktori ka publikuar një version të tijin të “Isolation”, këngës së famshme të viteve ’70 të John Lennon.
Postimi i parë i Depp ishte të enjten në mëngjes, teksa këndonte i rrethuar nga qirinjtë.
“Përshëndetje të gjithëve… po filmoj diçka për ju… më lini një minutë kohë,” thuhej në përshkrim.
Më pas aktori i njohur publikoi një video ku foli për pandeminë e koronavirusit dhe njoftoi publikimin e versionit të tij të “Isolation. Në video, Depp zbuloi se deri më tani, s’kishte parë asnjë arsye për të pasur rrjete sociale.
“Ky është momenti për të nisur një dialog mbi kërcënimin e armikut të padukshëm që ka shkaktuar tragjedi dhe dëme të jashtëzakonshme në jetët e njerëzve.
Mendoj se duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin gjatë këtyre ditëve të vështira dhe sfiduese, për komunitetin tonë, për veten, për botën dhe për të ardhmen”- tha Depp.
”Aktori nxiti ndjekësit e tij – që tani janë më shumë se 2.2 milionë ta përdorin kohën në izolim për të zhvilluar krijimtarinë.
