Iker Kasijas trembi jo pak të gjithë admiruesit e tij nëpër botë, teksa gjatë një stërvitje me skuadrën e Portos, ndjeu shqetësime në zemër. Menjëherë, ndërhynë mjekët e klubit të cilët e dërguan në spital, ndërsa pak orë më vonë u lajmërua se legjenda e portës kishte kaluar një infarkt dhe se i ishte nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Fatmirësisht, tashmë spanjolli e ka marrë veten dhe ka mbyllur llogaritë me futbollin, ndërsa kërkon të kandidojë për President të Federatës Spanjolle. Ndërkohë, Kasijas është rikthyer të flasë për momentin e vështirë duke u shprehur se pas operimit kishte frikë të ecte e të flinte. Megjithatë, ajo situatë në të kaluarën i ka shërbyer që tashmë të vlerësoj çdo moment në jetë.
“Prej momentit kur pata infarktin, disa gjëra kanë ndryshuar, sidomos në kokën time. Kam filluar t’i jap më shumë vlerë çdo momenti. Ndonjëherë ne futbollistët nuk e bëjmë këtë, nuk vlerësojmë atë që kemi dhe nuk e besojmë se mund të bëjmë të lumtur shumë njerëz. Kjo tashmë ka ndryshuar.
Pas sulmit në zemër, për një muaj kisha shumë frikë. Kisha frikë të flija, të ecja dhe të bëja çfarëdo sforco fizike. Ndihesha i trishtuar. Tani jam mirë dhe bëj shumë kura. Besoj se vetëm mjekët mund të më thonë se çfarë duhet të bëj ose jo”, u shpreh Kasijas.
