Shqipëria ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga neni 8 dhe 11 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Me anë të një note verbale të dërguar pranë Këshillit të Evropës, Shqipëria e ka arsyetuar këtë veprim me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e cila ka sjellë kufizime në liri dhe të drejta themelore të njeriut lidhur me lëvizjen, transportin ajror, detar dhe tokësor, procesin arsimor si dhe të drejtën e pronës.
Masat e miratuara nga Qeveria, ndër të tjera përfshijnë, kufizimin gradual të trafikut ajror, tokësor dhe detar, pezullimin e procesit arsimor, vendosjen e procedurave të karantinës dhe izolimin, kufizimin e mbledhjes ,manifestimit dhe grumbullimit, kufizimin e së drejtës së pronës, etj. rregullore e veçantë për ofrimin e shërbimit publik dhe procedurat administrative”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës.
Marrja e masave të fundit nga Qeveria Shqiptare sipas Këshillit të Evropës, e heqin Shqipërinë nga detyrimet e përcaktuara nga konventë dhe në disa pika të Protokolleve shtesë.
“Zbatimi i masave të marra nga Qeveria gjatë kohës së pandemisë, jep arsye për të shmangur detyrimet e caktuara të Republikës së Shqipërisë, në bazë të neneve 8 dhe 11 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe lirisë Themelore, nenet 1 dhe 2 të Protokollit të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe Lirisë Themelore dhe nenit 2 të Protokollit Nr.4 të konventës për Mbrojtien e të Drejtave të Njeriut dhe Lirisë Themelore”, -vazhdohet më tej në deklaratë.
Roden Hoxha, ish-Përfaqësues i Përhershëm i Agjentit Qeveritar Pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shpjegon për Citizens Channel se një tërheqje të tillë në baza të përkohshme, konventa e lejon.
“Konventa një derogim (tërheqje) të tillë e lejon, por gjithmonë në baza të përkohshme, dhe gjithmonë duke imponuar detyrimin tek shteti përkatës që të përditësojë Këshillin e Evropës në mënyrë të vijueshme mbi situatën e cila ka sjellë detyrimin e kryerjes së një veprimi të tillë. Nuk është diçka e cila nuk ka ndodhur më parë, apo që nuk ka precedent tek shtete të tjera. Një derogim i tillë nuk është se sjell pasoja tejet të rënda për vendin tonë. Në fakt një numër vendesh kanë filluar procedura të tilla paralelisht me ne, si Armenia, Gjeorgjia, Moldavia, por dhe fqinji jonë Maqedonia e Veriut”,-sqaron ai për Citizens Channel.
Sipas Hoxhës kjo lloj tërheqje ndodh zakonisht në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme apo fatkeqësisë natyrore, pasojat e të cilave nuk mund të parashikohen.
