Nga Zylfytar Hoxha/
Pas një lajmi të mirë nga Italia, unë e Lavdija, më në fund mbrëmë, pas mëse dy muajsh, vumë kokën të qetë në jastëk.
Një nga tre repartet e terapisë intensive, ai ku punon djali ynë, Eraldi, ishte liruar plotësisht dhe po bëhej gati për t’u rikthyer në funksionin e mëparshëm për operacione, të paktën në javën e ardhshme.

Natyrisht u gëzuam shumë edhe për faktin që e pamë me sytë tanë punën që po bëhej aty për dizenfektimin dhe vënien në gatishmëri të sallave të reaminacionit, kthimin e tyre në normalitetin e dikurshëm.
Por lufta nuk ka mbaruar! Unë mbaj mend, kur isha në fshat, se pas Luftës së Dytë Botërore, me municionet, granatat, gjylet e topave të mbetura andej-këtej, u vranë dhe u gjymtuan aksidentalisht me qindra njerëz, kryesisht adoleshentë dhe fëmijë që i merrnin ato për lodra.
Nuk them se do të ndodhë edhe tani kështu me coronavirusin, por lufta dhe mbrojtja ndaj tij duhet të jetë maksimale. Armiku të mund, kur e nënvleftëson!…
Eraldi e di këtë, pasi është pjesë e punës dhe profesionalizmit të tij, por ne, si prindër që jemi, nuk na rri goja, bëhemi dhe të bëzdisshëm.
Po më mirë kështu, të bezdishëm, se sa të mos e hapim gojën fare!
——-
Kur filloi kjo gjë, ti dhe Leoja na thatë: “Mos u bëni merak, do t’ia dalim”!
Më duket se ja dolëm!
Ju puthim fort: ty, Leon, Erikun dhe Lorenzon!
Lavdija – Zylyftari
