Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fton të gjithë tatimpaguesit, të cilët si arsye për refuzim të aplikimit për ndihmë financiare kanë mospërputhjen e Kodit të aktivitetit me përshkrimin e aktivitetit, apo me llojin e veprimtarisë që ata realisht ushtrojnë të përditësojnë të dhënat e tyre.
“Përditësimi dhe saktësimi i të dhënave të mësipërme do të mundësojë trajtimin në mënyrë korrekte të ankesave të tatimpaguesve, vijimin e procesit të aplikimeve për ndihmën financiare dhe kalimin e pagesave në llogarinë e individëve, të cilët pas verifikimit të të dhënave do të rezultojnë përfitues të ndihmës”, bën të ditur DPT.
Përditësimi i të dhënave të regjistrimit nga tatimpaguesi, person fizik apo juridik, vjen si detyrim i përcaktuar në ligjin “Për procedurat tatimore”.
Për të përditësuar të dhënat, konkretisht kodin NACE dhe përshkrimin e aktivitetit tatimpaguesit me status ligjor “person fizik”, duhet të aplikojnë në platformën e-albania, në menunë “biznesi im”.
Tatimpaguesit me status ligjor “person juridik”, duhet të paraqiten pranë sporteleve të Qendrës Kombëtare të Biznesit në të gjithë vendin.
