Emanuel Egbo po pret me padurim që të kthehet në fushën e lojës për të drejtuar Tiranën në pjesën e mbetur të sezonit. Trajneri i bardhebluve, në një prononcim për RTSH ka folur rreth asaj që pret në vijim dhe shpreson që rifillimi i aktiviteteve të jetë një mënyrë e mirë që njerëzit të kalojnë kohën.
Stërvitjet – “Jemi gjithmonë në kontakt me futbollistët, çfarë kanë bërë e si i kanë bërë ushtrimet . Kemi dhënë disa ushtrime për të qëndruar në formë fizike, për të qenë në formë muskujt për kur të rifillojë kampionati”.
Rikthimi në fushë – “Është vendimi i duhur sepse e kam thënë se futbolli dhe sporti do të jetë një tip ilaçi për njerëzit, edhe për lojtarët por edhe për ata që janë tifozë që të paktën të rrinë në shtëpi dhe të shohin një ndeshje nga kampionati shqiptar apo nga kampionate të vendeve të tjera”.
Shpërblimet e FSHF – “Me sa di unë, nuk kam kontrolluar llogarinë bankare pro më kanë thënë ata që janë në klub, Federata ka kaluar shpërblimin që ka premtuar që do t’u japë të gjithë klubeve dhe punonjësve të klubeve. Kjo është e nevojshme për lojtarët, sidomos për ata që janë në kategori më poshte e punëtorët e klubeve”.
Situata pas kthimit – “Gjithmonë do të marrim ndeshjet tona një nga një, janë edhe shumë ndeshje ndaj do të shohim ndeshjet tona dhe të shpresojmë që të vazhdojmë kështu deri në fund. Pastaj në fund do të bëjmë llogarinë tonë. Rifillimi i kampionatit pas dy muajsh do të jetë i vështirë për të gjithë lojtarët e klubet, sidomos pasi kam mësuar se ndeshjet do të bëhen çdo 3-4 ditë. Do të jetë shumë e vështirë për lojtarët sidomos nëse nuk janë në formën fizike të duhur për rifillimin”.