Njohja me doktoreshë Zerinën ka qenë e rastësishme e madje virtualisht në rrjetet sociale. Interesi i përbashkët për një çështje shëndeti, pasioni me të cilën fliste doktoresha për punën e saj dhe “përqafimi” më së miri i teknologjisë prej saj më bëri mjaft kurioze, se si një grua në moshën e saj e cila sapo ka dalë në pension ka përqafuar kaq mirë teknologjinë dhe vijon të punojë po me aq pasion sa në 40 vitet e punës së saj si pediatre në qytetin e Lushnjes.
Në këto kohë të vështira që po jetojmë ku aksesi ndaj shërbimit shëndetësor është i kufizuar, këshillimi online është një mundësi e mirë për të parandaluar situata të rënda e gjithnjë e më shumë po kuptojmë rëndësinë e saj. Shumë prej nesh komunikojnë online me mjekët e tyre për probleme shëndetësore dhe kjo po kthehet gjithnjë e më shumë në aksesin më të mirë shëndetësor. Dr. Zerina është nga ata mjekë që nuk lodhet kurrë të bëjë këtë.
Ne, ajo pjesë që ka qenë gjithmonë dyshues ndaj aftësive dhe kemi “shënjestruar” bluzat e bardha më duhet të them që gabohemi. Ashtu siç dhe vetë dr. Zerina e thotë në këtë intervistë për tirananews.al mjekësia nuk është thjesht profesion por mision për të mbrojtur jetën e këto kohë të vështira që po jetojmë e tregojnë më së miri se mjekët janë heronjtë tanë.
Kur e dëgjon të flasë për të shkuarën, vështirësitë në universitet ku me një atlas anatomie punonin120 studentë (ndryshe nga sot ku mjekët kanë mundësira pa fund për t’u perfeksionuar), vështirësitë e punës në vitin 1997 në një qytet që u prek rëndë nga ajo “luftë me njëri-tjetrin”, ku telefoni nuk i pushonte për të qenë pranë pacientëe të vegjël dhe një jetë në shërbim të tyre, përpjekjet e sotme për të kontribuar në mjekësinë online, të jep optimizëm e shpresë në kohët që po jetojmë sot. Për dr. Zerinën komunikimi shpesh është çelësi i suksesit dhe “dhënia në kohë e një qetësuesi mund të parandalojë situatat e rënda”.
INTERVISTA
-Dr. Zerina duke dashur ta nisim intervistën nga A-ja, pse zgjodhët të ishit mjekët pediatre?
Në vitin 1976, kur fillova fakultetin e Mjekësisë, nuk kishte asnjë mundësi zgjedhje. As që e mendoja se do të bëhesha mjeke. Më pëlqenin shkencat ekzakte, degët e inxhinierisë. Pas mbarimit të 5 viteve, duhej të bënim një vit stazh, pastaj vinte mbrojtja e diplomës. Më emëruan në spitalin e Lushnjes, në Pediatri, sepse aty kishte nevojë për mjekë. Viti i stazhit ka qenë një vit sprove në drejtim të karakterit tim. Përditë takoja prindër me shqetësime nga më të ndryshme për fëmijët e tyre. Tek të gjithë vija re një të përbashkët : dashurinë sublime për krijesat e tyre, për vazhdimësinë e jetës. Fillova të mendoj me këmbë në tokë. Afeksioni për ato engjëj të vegjël, rritej dita ditës. Pacientët e vegjël kërkonin ndihmë, me atë vështrimin e kristaltë, dhe duhej ta bëje. Kisha dëgjuar nga profesorët e mi të nderuar që mjekësia është mision për të mbrojtur jetën, jo thjesht profesion. Pra,vullneti, vëmendja dhe përkushtimi ndaj detyrës që të ngarkohet, është pjesë e personalitetit të njeriut. Dinjiteti njerëzor është një nga vlerat më të çmuara. Respektimi i kodit të sjelljes dhe etikës janë norma elementare që duhen respektuar nga çdo komunitet social. Me kalimin e viteve njeriu bëhet më i ndjeshëm, më i butë, më i matur.
– Ju thatë që keni pëlqyer inxhinierinë por më pas pasioni për “pacientët e vegjël” bëri të dashuroni punën tuaj si mjeke. Femijet tuaj jane te dy inxhiniere elektronike duke ecur disi ne gjurmet e asaj qe ju keni dashur dikur. A do te donit qe njeri prej tyre te ishte mjek?
Unë e kam lënë të lirë zgjedhjen e tyre. Duke e parë në këndvështrimin e familjes, fëmijët e mjekëve e vuajnë disi përkujdesjen. Mjeku është i angazhuar edhe jashtë orarit. Indirekt ” shqetëson” edhe familjen nga telefonatat dhe ankesat e pacientëve. Shpesh, mjekët paragjykohen, ose përfolen . Askush nuk gjykon thellë, për ta ditur se sa i kemi hyrë në hak fëmijëve tanë. Por kjo është pjesa e padukshme e ajsbergut. Shërbimi i rojeve 24 orëshe, pjesëmarrja disa ditore në konferenca, trajnime është një lloj sakrifice për familjen. Në lidhje me pasionin për pediatrinë, ai u rrit gjatë kohës që unë merresha me fëmijët. Pra, në zgjedhjen e profesionit është karakteri ai që t’i hap dyert. Përgjegjësia , përkushtimi, vullneti, që ndjen secili për të dhënë maksimumin e tij, në çdo punë që bën.
-Prej shumë vitesh keni shërbyer ndaj pacientëve të vegjël, si mund ta përshkruani punën tuaj në gjithë këto vite? A ndodh sot t’u takojnë njerëz që dikur në vegjëli kanë qenë pacientët tuaj apo mjekë që “janë rritur” nga ju?
Të vegjlit e viteve ’80 u bënë prindër pas viteve 2000 dhe sillnin fëmijët e tyre apo i rekomandonin të afërmit për vizitë te unë, duke më besuar shëndetin e familjes për breza me radhë. Unë u familjarizova më shumë me ata. I jam mirënjohëse lushnjarëve për respektin që më kanë dhënë. Ato më kanë mësuar që vlerat njerëzore janë themelore në jetën e njeriut; që familja , fëmijët janë dhurata më e çmuar në botë. Që prindërimi i mirë është baza e një shoqërie të shëndetëshme. Në aspektin social, mjeku i familjes, ka detyrë të bashkëpunojë dhe me hallkat e ndërmjetme që lidhen me problemet e shëndetit mendor dhe fizik të fëmijëve, si psh kushtet ekonomike, mardhëniet familjare, niveli kulturor dhe edukimi shëndetsor i komunitetit. Sfida të tilla e bëjnë jetën më të larmishme, më interesante. Ndjehem me fat që i kam shërbyer popullit lushnjar për afro 4 dekada. Kemi ndarë bashkë shqetësime, copëza jete dhe suksesi.
Le të themi se keni kaluar situata të ndryshme gjatë punës suaj në qytetin e Lushnjes, punë në kushte të vështira, si në vitet ’90, apo dhe në vitin e mbrapshtë ’97. Një rast që ju ka ngelur në mendje për llojin e situatës dhe vështirësisë?
Kujtimet më çojnë në vitin e mbrapshtë 1997…. Telefoni im dhe dera e shtëpisë sime nuk janë mbyllur kurrë, nonstop, sa herë që më thërrisnin njerëzit e mirë lushnjarë. Gjithmonë mbaja në çantë disa ilaçe të urgjencës dhe aparatin e tensionit. Edhe në kohën e plumbave , ju jepja ndihmën shëndetsore fëmijëve dhe të moshuarve të lagjes ku banoja, derisa të vinte mëngjesi dhe ato të paraqiteshin në ambulancë. Dikush më thoshte: i ka ikur koha idealizmit tënd. Unë mendoj se kjo cilësi e karakterit është e skalitur në genet që kam trashëguar nga prindërit e mi. “Bëj mirë në këtë botë”, me këtë mendësi më kanë edukuar ata… Përpos kësaj, ndjenja e lartë e përgjegjësisë ndaj pacientëve më ka shoqëruar në cdo rast që ka patur nevojë për ndihmën time.
Sapo keni dalë në pension ndërkohë vijoni të jeni mjaft aktive për të qenë pranë pacientëve të vegjël. Aktualisht, këshillat tuaja keni zgjedhur t’i jepni përmes rrjeteve sociale dhe një kanal tuajin në YouTube. Jeni nënë, jeni gjyshe, shumë në moshën tuaj do të thoshin më në fund pak pushim dhe për mua, por ju ku e gjeni gjithë këtë energji dhe pasion si për punën tuaj shumë vjeçare por dhe përqafimi me teknologjinë e re?
Dalja në pension ka aspektin e vet psikologjik. Do të doja të jepja kontributin tim modest në ndihmë të fëmijëve në nevojë, për aq kohë sa do të kem energji mendore dhe fizike. Fëmijët e mi, tashmë të rritur kanë studiuar të dy për inxhinjeri elektronike. Ata më dhanë idenë për të hapur një kanal në YouTube me këshilla pediatrike, që të mos shkëputja kontaktet me pacientët e mi. Gjithashtu, dëshira për të punuar dhe kontribuar, të jem e dobishme për të ndihmuar njerëz në nevojë më motivon dhe jep energji pozitive. Më tej e zgjerova kontaktin me pacientët me faqen “Këshilla pediatrike” në Facebook. Kam marrë falënderimet dhe fjalë inkurajuese për këtë. Ka vetëm disa muaj dhe më duket se publiku ka interes. Pra, funksionon mirë. Gjithmonë më ka tërhequr teknologjia . Edhe gjatë punës i përdorja të gjitha mundësitë e komunikimit, për të qenë e azhornuar me lajmet në fushën e pediatrisë bëja abonimin me anë të email-it të dy revistave mjekësore të huaja.
Shumë prej nesh janë disi dyshues ndaj aftësisë së bluzave të bardha, shumë të tjerë jo shumë qasje ndaj mjekësisë online. Duke pasur parasysh aktivizimin tuaj sa mendoni se po ndikon dhe do të ndikojë mjekësia online në Shqipëri?
Komunikimi, shpesh është çelësi i suksesit. Nëse dikush të ndodhet pranë , me këshilla, në rastin e problemeve shëndetsore, mendoj që shfrytëzohet edhe faktorin KOHË. Dhënia në kohë e një qetësuesi mund të parandalojë situatat e rënda. Informacioni shëndetsor gjithashtu, është një mënyrë që duhet shfrytëzuar në kohët e sotme të teknologjisë. Pacienti, përveçse qetësohet nga ankthi që është bashkudhëtar me sëmundjen; me këshillat online mund të parandalojë një situatë kritike. Personalisht i qëndroj mendimit që këshillimi online është një nga hallkat e ndërmjetme të shërbimit shëndetësor që duhet shfrytëzuar në dobi të jetëve njerëzore, sepse shfrytëzon faktorin kohë. Brezi i sotëm i mjekëve janë vërtetë të talentuar. Edhe mundësitë për të mësuar janë nga më të shumtat. Nuk krahasohen me brezin tonë : kur një atlas anatomie, në bibliotekën e fakultetit, qarkullonte mes 120 studentësh.
Doktoresha, situata aktuale nuk është e zakonshme për asnjë prej nesh, as për brezin tuaj që keni kaluar shumë e më shumë ngjarje se brezat e sotëm. Flasim për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit. Kujtoj që vendi të paktën në 40-vjeçarin e fundit është përballur me kollën e mirë, me poliomelitin e shumë sëmundje të tjera. Si e shihni situatën sot? Si e jepni kontributin tuaj, pyetjet që ju bëjnë më shpesh?
Në lidhje me situatën sot, historia botërore ka njohur me dhjetra pandemi. Edhe kjo është pasojë e mutacioneve genike që pësojnë viruset nën efektin e natyrës. Sot menaxhimi shëndetësor është më i perfeksionuar. Por lëvizja e lirë e qytetarëve, në një botë globaliste,e bën më komplekse situatën. Respektoj mendimin shkencor dhe racional të ekspertëve të OBSH në lidhje me vaksinat. Koha ka treguar se vaksinat kanë bërë revolucion në shëndetësi. Që në kohën kur mikrobiologu i famshëm francez, Louis Pasteur shpiku vaksinën e parë kundër tërbimit, bota ka shpëtuar shumë jetë njerëzore nga epidemitë vdekjeprurëse. Kam besim të plotë që njerëzimi do ta kalojë me sukses këtë sfidë të radhës, duke reflektuar vlerat e bluzave të bardha si heronj të heshtur të cdo epoke. Kërkimet shkencore po ashtu, kanë bërë të mundur uljen e vdekshmëri së në raport me epidemitë e mëparshme./ tirananews.al
Përgatiti: Anisa Braho