Presidenti Ilir Meta i bën thirrje qeverisë në ditën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit që të garantojë të gjitha masat mbrojtëse për personelin shëndetësor që është në vijën e parë të luftës ndaj COVID.
“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne”, shprehet Meta.
Ai kërkon gjithashtu edhe mbështetje për fasonerinë ku janë shfaqur një sërë problematikash që mund të ishin shmangur me masat kufizuese dhe distancim social në ambientet e punës.
“Me shqetësim kam ndjekur këto ditë edhe situatën në sektorin fason, ku janë shfaqur një sërë problematikash, që mund të ishin shmangur nëse masat kufizuese, higjena dhe distancimi social në ambientet e punës do të ishin respektuar. Ndërkohë që ky sektor kryesor punëdhënës ka nevojë për një përkrahje më konkrete për të mbijetuar”, vijon ai.
Për kreun e shtetit “garantimi i kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës në çdo sektor, veçanërisht të kujtdo që është në vijën e parë kundër COVID-19, janë të domosdoshme për menaxhimin e pandemisë dhe rikthimin sa më shpejt në normalitet”.
