Alariko Rosi është ndër të paktët pjesëtarë të stafit të Kristian Panuçit që Edi Reja vendosi të mbante në radhët e përfaqësueses shqiptare. Video-analisti zgjodhi të pranonte ofertën që i bëri FSHF për të vazhduar punën edhe me teknikun e ri e për më tepër, tashmë ka nisur punë në departamentin e skautizmit që po krijohet në institucionin që drejton futbollin në vendin tonë.
Ai është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të trajnerit Reja dhe ndonëse ky i fundit është në moshë, duket mjaft i hapur ndaj teknologjisë dhe përdorimit efikas të saj. Vetë Rosi ka shpjeguar për TMË se si është ky bashkëpunim me trajnerin.
“Reja është trajneri më i vjetër në moshë në kombëtare në të gjithë botën. Në Islandë drejtoi ndeshjen e tij të 1001, në nivel teknologjie nuk them se është si Nagelsman, por është shumë para të tjerëve… Ai është shumë i hapru ndaj risive teknologjike, ecën me hapin e kohës dhe nuk e tregon moshën që ka. Ka një qasje të mire ndaj teknologjisë, ndaj zanatit tone. Ka një staf si Porrini dhe ndihmësat shqiptarë Bulku e Salihi që kanë lënë futbollin kohët e fundit dhe janë shumë të zgjuar. Është një grup dhe një bashkëpunim që funksionon shumë mirë”, tha Rosi.
Ai zbulon se puna e kërkimit ka bërë që Shqipëria të ketë lojtarë në monitorim nga shumë vende të ndryshme në përfaqësueset e saj. “Kemi lojtarë të shpërndarë në 75 kampionate të ndryshme dhe në 45 shtete. Për çdo grumbullim thërrasim mesatarisht lojtarë nga 15 kampionate të ndryshme. Njëkohësisht kemi grumbulluar një lojtar që ka luajtur në Siberi dhe një në Kaliforni, njëkohësisht një në Skoci e një në Kalabri”, tregoi ai.
