Në një kohë që Pallati me i famshëm me kuba, ku ka pas jetuar Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli ka përfunduar së rikonstruktuari dhe pritet të kthehet i gjithi një muze, arkitekti i kësaj vepre futuristike Maks Velo është ndarë nga Jeta.
Prej disa ditësh arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo ka qëndruar i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare, pasi gjendja e tij shëndetësore u rëndua për shkak të një sëmundjeje në gjak.
Maks Velo ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.
Ai ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.
Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.
